KEDS ndërron dy trafo të mëdha në Gjilan

Në Nënstacionin 35/10kV të Lladovës janë ndërruar dy trafo të Tensionit të Mesëm të cilat mundësojnë shërbime kualitative për mijëra konsumatorë. Në të njëjtën kohë ky investim ndikon në zvogëlimin e humbjeve teknike.
Zhegra dhe fshatrat përreth kanë shërbime më kualitative me energji elektrike. Kjo është arritur pas zëvendësimit të dy trafove të Tensionit të Mesëm 4 MVA (Megavolt Amper) në Nënstacionin e Lladovës.
Ky investim ka rinuar kapacitetet e shpërndarjes për atë anë.
Trafot e trashëguara nga koha kur kompania ishte në pronësi publike ishin të vjetra rreth 40 vjet, rridhnin vajin dhe tregonin jostabilitet në punën e tyre. Trafot e reja e ruajnë ambientin dhe ndikojnë direkt në zvogëlimin e humbjeve teknike.
“KEDS ka për qëllim që të krijojë standardet më të larta të shërbimeve. Ky investim është në këtë linjë, pasi ka rritur sigurinë e furnizimit për një pjesë të madhe të konsumatorëve të Anamoravës”, thotë Korab Zymeri, Menaxher i Mbrojtjes Rele në KEDS.
Trafot e reja, njëra në anën perëndimore e tjetra lindore të nënstacionit janë të pajisura me stabilimentet më moderne. Madhësinë e tyre e ilustron fakti se secila nga to ka një peshë prej afro 5000 kilogramësh, përderisa në brendi të tyre kanë nga 1500 litra vaj.
Vendosja e këtyre stabilimenteve të Tensionit të Mesëm në Distriktin e Gjilanit vjen vetëm disa ditë pas kompletimit të dy trafove nga 8 MVA të vendosura në Ferizaj, të cilat kanë rritur kualitetin e shërbimeve për atë pjesë të vendit, gjithashtu.