KEDS-i shkyç nga “bota” qindra shtëpi në Pejë

Autori:Avdyl Pajaziti

Punëtorët e KEDS-it, derisa po i largonin të shtunën shtyllat e vjetra elektrike në një pjesë të lagjes “7 Shtatori” në Pejë, e kanë dëmtuar tërë rrjetin kabllor që ka qenë i lidhur në ato shtylla, afër objektit të Qendrës për Aftësime Profesionale.

Nga dëmtimi i kabllove të operatorëve kabllovik, kanë mbetur qindra shtëpi pa televizion kabllor, internet dhe telefon.

Disa banorë dëshmitarë, tregojnë se punëtorët e KEDS-it i kanë këputur kabllot me sharrë motorike, më të cilën i sharronin edhe shtyllat e drurit.

“Në vend që t’i largojnë kabllot e mos t’i dëmtojnë ata i sharruan kabllot me motor e i lanë qindra shtëpi pa TV, internet e telefon. Kjo veç te ne ndodh”, tha për korrespodentin e grupit Koha në Pejë, një banor i cili nuk deshi t’i përmendet emri.

Punëtorët e një kompanie për mirëmbajtjen teknike të rrjetit të njërit prej operatorëve kabllor, që kishin dalë për të sanuar dëmin, thonë se KEDS-i nuk i ka njoftuar fare për largimin e shtyllave.

“Ata është dashtë paraprakisht të na njoftojnë, sepse ne paguajmë qira për shfrytëzimin e shtyllave, e jo të veprojnë kështu e të na shkaktojnë gjitha këto dëme”, u shpreh njëri prej punëtorëve, derisa po i mblidhte nëpër rrugë copat e kabllove të këputura, përcjell koha.net.

20160416152923779646

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/keds-i-shkyc-nga-bota-qindra-shtepi-ne-peje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala