KEDS-i i frikësohet konkurrencës, shkakton probleme në balancimin e sistemit energjetik

Autori:Avdyl Pajaziti

Janë bërë gati të gjitha përgatitjet e nevojshme që KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu) të njihet si zonë rregulluese e pavarur nga ENTSO (Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit dhe Transmisionit), që rrjedh nga marrëveshja e Brukselit mes Prishtinës dhe Beogradit për energjinë.

Por jo çdo gjë shkoi si do të duhej. Ka disa probleme që dalin nga disbalancet në sistemin energjetik që po shkaktohen nga operatorët e energjisë që veprojnë në Kosovë.

KosovaPress ka siguruar kërkesën e KOSTT-it, që iu ka drejtuar KEK-ut dhe KEDS-it me kërkesë që t’i përmbahen kërkesave të KOSTT për furnizim të rregullt me energji elektrike, sidomos për periudhën monitoruese, 15 gusht-15 shtator, nga ENSTO.

KOSTT ka vënë në dukje se debalancet që rrezikojnë këtë proces shkaktohen nga KEK dhe KEDS, andaj, sipas kryeshefit ekzekutiv të KOSTT këta operatorë duhet të merren vesh për balancimin e sistemit.

Megjithatë, duket se për shkak të frikës së konkurrencës nga liberalizmi i tregut me rastin e anëtarësimit të Kosovës në Rrjetit Evropian të Operatorëve të Transmisionit të Energjisë, KEDS nuk iu ka përmbajtur kërkesave për balancim të sistemit në fund të muajit gusht kur pati ndërprerje të energjisë elektrike për tre ditë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha për KosovaPress se ka pasur disa telashe me furnizim t ë energjisë elektrike tre ditë gjatë fazës monitoruese nga ENTSO, për të cilat ai pret që të mos u dalin si problem.

“Periudha e monitorimit 15 gusht-15 shtator ka vënë në pah domosdoshmërinë e bashkëpunimit në mes të gjithë aktorëve në fushën e energjisë. Mendoj se ka qenë një periudhë e suksesshme me përjashtim të dy tri ditëve ku kanë qenë disa telashe me furnizim, por të gjitha kanë qenë të amortizuara dhe i kemi tejkaluar si probleme dhe as njëra prej tyre nuk paraqet ndonjë pengesë”.

Për sa i për ketë fajësisë së telasheve që kanë lindur gjatë këtij procesi monitorues, Stavileci thotë se KEDS-i, KEK-u, KOSTT dhe ZRRE janë pjesë e sistemit, por sipas tij, ai nuk ka kompetenca për t’u përzier në punët e tyre menaxheriale të këtyre kompanive.

“Unë nuk mund ta flas për aktivitetet menaxheriale ditore operative që i bënë qoftë KEK-u qoftë KEDS-i, të gjithë janë pjesë e sistemit. Me ligje janë të përcaktuara detyrat dhe mandatet e secilit dhe roli i ministrisë ka qenë një rol koordinues”.

“Ne nuk kemi kompetenca mbi asnjërin për tu përzier në punët e tyre menaxheriale, por thjesht për ta monitoruar ecurinë e këtij procesi sepse më e rëndësishmja mbi të gjitha është që KOSTT të jetë pjesë e ENTSO-s”, tha Stavileci.

Sipas ministrit të MZHE-së anëtarësimi i Kosovës në ENTSO do të jetë ndër të arriturat më të mëdha në fushën e energjetikës, kjo sipas tij është edhe rezultat i dialogut nga bisedimet në Bruksel, sepse ka qenë Serbia ajo që ka penguar në të kaluarën anëtarësimin në këtë organizatë evropiane.

Për liberalizimin e tregu, Stavileci tha se janë duke i marrë disa veprime që i hapin rrugë hapjes së tregut energjetik, nga i cili do të përfitonte ekonomia e vendit dhe konsumatorët me shërbime dhe çmime më të mira.

Ndërsa, kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Naim Bejtullahu, thotë për KosovaPress se monitorimi ndërlidhet me balancimin e sistemit energjetik. Sipas tij, derisa të balancohet ky sistem, ata nuk do të arrijnë të jenë pjesë e ENTSO-s.

“Derisa ta balancojmë sistemin tonë kjo nuk do të jetë pengesë. Anëtarësimi në ENSTO i bënë anëtarët e saj të jenë në tregun e Kosovës. Kosova do të jetë një treg i pavarur sa do të ketë benefite, varet prej pjesëmarrësve në treg qofshin ata gjeneratorë, qofshin ata tregtarë, qofshin ata furnizues”, tha Bejtullahu.

Koordinatori i KOSID, Visar Azemi, thotë se ka qenë e planifikuar nga 1 janari i këtij viti që tregu i energjetikës do të duhej të liberalizohet në të gjithë rajonin duke përfshirë edhe Kosovën. Porse, për avaritë të cilat kanë ndodhur në sistem gjatë periudhës monitoruese të KOSTT nga ENTSO, sigurisht se operatorët energjetik në vend duhet të jenë të përgjegjshëm.

“KOSTT si agjenci e pavarur është duhet bërë punët për të qenë gati për tregun e liberalizuar. Ndërsa avaritë të cilat kanë ndodhur në sistemin energjetik sigurisht se operatorët energjetik në vend duhet të jenë të përgjegjshëm për veprimet të cilat shkaktojnë vonesa të pa arsyeshme karshi liberalizimit të tregut”, tha Azemi.

Ai tregon se konkurrenca për ata që veprojnë në tregun me monopol nuk është e mirëseardhur.

“Konkurrenca për atë që ka monopol gjithmonë është e dëmshme dhe e keqe. Mirëpo për qytetarin dhe për Kosovën, konkurrenca duhet të jetë sa më e madhe në mënyrë që shërbimet e ofruara të jenë sa më të mira dhe pagesat të jenë të favorshme”, thotë Azemi.

Ndryshe, zyrtarë të KEDS nuk iu janë përgjigjur kërkesës me shkrim dhe thirrjeve telefonike nga KosovaPress lidhur me veprimet që ata kanë bërë gjatë kohës monitoruese nga ENSTO, e për çka Kosova do të mund të penalizohet.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/keds-i-i-frikesohet-konkurrences-shkakton-probleme-ne-balancimin-e-sistemit-energjetik/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala