KEDS ende e mbledh borxhin e falur nga Qeveria

Autori:Avdyl Pajaziti

Kompania turke për Distribuim dhe Furnizim me Energji elektrike ende vazhdon ta faturojë borxhin e falur nga Qeveria e Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që të gjitha borxhet nga pas lufta e deri më 31 dhjetor 2008 të falen, mirëpo kjo ende nuk ndodhe me faturat e KEDS-it.

Zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala fajin për këtë e ka hedhur te Korporata Energjetike e Kosovës, duke e arsyetuar me faktin që kompania turke që ka privatizuar distribucionin ka filluar të operoj që nga 2013.

“Dihet se KEDS është kompani që ka nisur operimet në maj 2013. Prandaj, ju lutem qe për çështjen e borxheve te vitit 2008 e tutje t’i drejtoheni KEK-ut”, ka thënë Buzhala për Indeksonline.

KEK-u ka një marrëveshje me KEDS-in që borxhet të mblidhen nga ana e KEDS-it, mirëpo kjo e fundit nuk e ka obligim përveç kur qytetarët shprehim gatishmëri që ta paguajnë borxhin, por jo edhe të para 2008-së.

Ndërsa Visar Azemi nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i lajmërojë operatorët të cilët duhet të mos e faturojnë më borxhin e falur.

Azemi po ashtu një pjesë të fajit e hedh edhe te KEDS-i që nuk i heq nga faturimi borxhet vjetra që janë falur nga Qeveria.

“Duhet të reflektohet në Qeveri kjo më së pari që konsumatori ta merr faturën e pastër pa inkasimet që janë ngarkuar nga ana e KEDS-it. Ajo periudha mbas faljes duhet të tërhiqet nga fatura. Vendimi i Qeverisë që është marr është dashur të informohet të gjithë operatorët se si duhet të veprohet dhe shumat që duhet të tërhiqen. Në këtë rast KEDS-i sa më shpejt duhet t’i largojë nga faturimi borxhet që janë falur dhe mos me vazhdu të paguhet një borxh që është falur prej Qeverisë”, ka thënë Azemi për Indeksonline.

Në KEDS po ashtu nuk kanë treguar se ku shkojnë ato të holla nëse ndonjë konsumator paguan borxhin e para 2008-së.

Nënkryetari i Federatës së Sindikatave të Pavarura Elektrokosova (FSPE), Sherif Fejzullahu ka thënë për Indeksonline se kanë kërkuar nga KEDS që ta largojë nga faturimi borxhin e vjetër, duke konsideruar se “dikush mund edhe ta paguaj këtë borxh të falur”./Indeksonline/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/keds-ende-e-mbledh-borxhin-e-falur-nga-qeveria/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala