KEDS Akademia avancohet me përvoja të reja në Turqi

Autori:Avdyl Pajaziti

Dhjetë studentët më të mirë të KEDS Akademisë kanë avancuar njohuritë praktike dhe teorike në universitetin Bogazici të Turqisë dhe në selitë e kompanive Çalik dhe Limak. Në kompaninë e distribuimit Yedas në qytetin Samsun studentët mësuan të arriturat më të reja të kësaj industrie. Këtë vizitë të studentëve e përcollën edhe menaxhmenti i KEDS-it dhe KESCO-s si dhe gazetarë eminentë kosovarë

Për vitin e dytë me radhë, studentët më të dalluar të Akademisë së KEDS-it përfundimin e programit e kanë bërë në Turqi. Në fillim të shtatorit ata vizituan Universitetin Bogaziçi në Stamboll, ku përfituan njohuri të shumta nga fusha e energjetikës dhe menaxhmentit. Në qytetin më të madh të Evropës ata vizituan edhe selitë e kompanive prestigjioze në Turqi, Çalik dhe Limak.

Mesut Serhat Dinc, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Limak Energy dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të KEDS-it, i cili është edhe ideatori i KEDS Akademisë ka theksuar edhe njëherë përkrahjen e plotë për studentët kosovarë.

“Sot, kur po përmbyllet viti i dytë i KEDS Akademisë sukseset janë shumë evidente. KEDS akademia si një ide inovative ka fituar katër çmime Stevie Award. Këto lloj iniciativash jo vetëm se u mundësojnë të rinjëve kosovarë një perspektivë të re por edhe mundësojnë që Kosova të promovohet gjithnjë e më tepër në arenën ndërkombëtare. Ky është vetëm një nga iniciativat e tilla dhe në të ardhmen do të ketë edhe shumë të tjera sepse aktiviteti ynë në Kosovë ka një vend të veçantë në korporatën tonë”, tha Dinc.

Pjesë e ekipit të studentëve kësaj radhe ishin edhe gazetarë nga Kosova, të cilët kanë përcjellur aktivitetet e akademisë në Turqi.
Ata panë së afërmi se si studentët mësuan për metodat më moderne të menaxhimit dhe elementeve tjera teorike nga universiteti Bogaziçi, si dhe me njohuri praktike të distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike në kompani të kësaj fushe në Stamboll dhe Samsun.

Delegacioni në përbërje të pjesëtarëve të KEDS-it dhe KESCO-s, studentëve dhe gazetarëve,është pritur në Samsun edhe nga Drejtori Gjeneral i Yedas, njëkohësisht edhe Kryetar Ekzekutiv i Bordit të KEDS, Nurettin Turkoglu. “Jam krenar të them që përvojat dhe teknologjitë më të larta të nivelit botëror që i aplikojmë në Yedas po i bartim edhe në KEDS. Mbështetja e gjithëmbarshme do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në mënyrë që KEDS-i të bëhet kompani lidere në Kosovë në fushën e teknologjive më të reja. Për këtë po punojmë fuqishëm edhe me gjeneratat e reja”, tha Turkoglu.

Pjesë e delegacionit që kishte udhëtuar nga Kosova ka qenë edhe Alper Erbas, Drejtor Ekzekutiv i Furnizimit në KESCO. “Është shumë e rëndësishme për punëtorët e ardhshëm të shohin metodat më moderne të furnizimit dhe distribuimit të energjisë elektrike. Edhe pse studentët i kanë parë tanimë këto metoda në KEDS dhe KESCO, avancimi i njohurive në kompani edhe më të mëdha dhe të zhvilluara u ofron atyre një perspektivë të re. Janë shumë detaje që studentët i panë dhe i analizuan me sukses. Kjo më bën optimist se Kosova po përfiton një brumë të mirë të gjeneratës së re”, tha Erbas.

Akademia e KEDS është program i themeluar nga KEDS që ka për qëllim të ofrojë trajnime dhe punësim për të rinjtë kosovarë. Programi është bashkëpunim ndërmjet KEDS, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Gjatë vitit 2015 është bërë trajnimi dhe avancimi i njohurive profesionale për 50 studentë, po aq sa ishin në gjeneratën e parë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/keds-akademia-avancohet-me-pervoja-te-reja-ne-turqi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala