KDI thirrje liderëve politikë që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Presidentes

Autori:Gazeta Fjala

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), nga afër ka përcjellë të gjitha zhvillimet në vend karshi krizës politike që tashmë po hyn në muajin e gjashtë të saj. Funksionimi i plotë i institucioneve, veçanërisht i Kuvendit, është vitale për funksionimin e tërësishëm të shtetit.

KDI thotë se përgjatë kësaj periudhe, vazhdimisht kanë bërë thirrje ndaj partive politike parlamentare, që të përdorin dialogun si mjet të vetëm për zgjidhjen e mospajtimeve politike.

“Në këtë frymë, kemi përkrahur çdo iniciativë institucionale për dalje nga gjendja e tanishme e krizës dhe hapjes rrugë zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve”, thuhet në një letër që KDI ua ka dërguar mediave e që për adresë ka liderët politikë të vendit.

KDI thekson më tej se sipas parimeve të ndarjes së pushtetit, Kushtetuta obligon kreun e shtetit të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve shtetërore.

“Duke qenë se Presidenti përfaqëson unitetin e popullit, KDI përkrah iniciativën e Presidentes Jahjaga për dialog ndërpartiak, dhe inkurajon liderët e gjitha subjekteve politike që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së saj”, theksohet më te në letër.

KDI, në këtë letër, u rikujton partive politike dhe udhëheqësve politikë e institucionalë që:

Të jenë të vetëdijshëm për sfidat me të cilat si shoqëri, si subjekte politike dhe institucione shtetërore jemi ballafaquar në vitin e fundit, të përkushtohen që bashkërisht t’i adresojnë këto sfida, në mënyrë që të mos përbëjnë kërcënim për shtetin dhe mirëqenien e qytetarëve.

Të njohin faktin se shteti ynë është ndërtuar mbi bazën e të drejtave dhe lirive qytetare, me mundin dhe jetën e shumë prej tyre, pa harruar as përkushtimin e miqve tanë ndërkombëtarë që të garantojnë një shtet me vlera demokratike, prandaj të përkushtohen që këto obligime kushtetuese t’i adresojnë përmes dialogut politik gjithëpërfshirës.

Të jenë të vendosur për të dhënë kontributin e tyre në ndërtimin e një shoqërie të lirë nga dhuna, frika, urrejtja, korrupsioni, dhe të jenë të përkushtuar për ndërtimin e një shteti dhe shoqërie e cila garanton sundimin e ligjit, lirisë së mendimit e të lëvizjes, transparencës, mirëqeverisjes, prosperitet, zhvillim, dinjitet dhe barazisë për të gjithë.

Të pajtohen të punojnë së bashku për t’i dhënë fund polarizimit politik, duke përdorur dialogun politik si themelin e demokracisë.

Të garantojnë se do të respektojnë dhe do të marrim në përgjegjësi të gjitha obligimet kushtetuese e shtetërore, të cila janë rezultat i aspiratave të qytetarëve tanë dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, për të forcuar funksionalitetin shtetëror me vlera të integrimeve properëndimore.

Të jenë vizionarë për të treguar rrugën e funksionimit të shtetit mbi bazën e dialogut për vendimet e mëdha nacionale, në përputhje me frymën dhe rendin kushtetues të Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kdi-thirrje-lidereve-politike-qe-ti-pergjigjen-pozitivisht-fteses-se-presidentes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala