KDI kërkon që të mbrohen me ligj ata që denoncojnë korrupsionin

Autori:Gazeta Fjala

Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve të Kosovës që të mos e ngushtojnë hapësirën dhe të mos i frikësojnë sinjalizuesit e rasteve të korrupsionit. “Të ngushtojnë hapësirën e rasteve të veprimeve korruptuese, të cilat në vazhdimësi për 16 vjet janë duke ardhur në pah nga institucionet shtetërore të Kosovës”, ka thënë Kryeziu në performancën “ecje dhe fishkëllimë”

Një grup i organizatave joqeveritare edhe një herë ka kërkuar amendamentimin e Ligjit për mbrojtjen e informatorit. Me anë të një aksioni simbolik Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), bashkë me disa organizata të tjera joqeveritare u kanë bërë thirrje Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës që të inkurajojnë sinjalizuesit e korrupsionit dhe të mos vazhdojë me ndëshkimin e tyre. Ata të premten në Prishtinë kanë organizuar performancën “ecje dhe fishkëllimë”, në mbështetje të Abdullah Thaçit nga Prizreni, i cili javën e kaluar është dënuar me një gjobë prej pesë mijë eurove, për faktin se nga banka ku punonte kishte sinjalizuar një rast të korrupsionit në Komunën e Prizrenit. Sipas organizatorëve, dënimi i Thaçit përveçqë është gjobë, është edhe frikësim i qytetarëve të tjerë për të denoncuar rastet e korrupsionit.

Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka kujtuar se javën e kaluar ua kanë dërguar nga një letër institucioneve, ku kanë kërkuar ndryshim të Ligjit për mbrojtjen e informatorit. Një thirrje të tillë Kryeziu e ka bërë edhe të premten. “Është bërë thirrje për Qeverinë dhe Parlamentin që të ndryshojë Ligjin për mbrojtjen e informatorëve, i cili duhet të garantojë praktikat të cilat qytetarët munden në mënyrë të lirë dhe pa frikë t’i paraqesin rastet e korrupsionit brenda institucioneve ku ata punojnë, apo në rastet kur janë viktima apo dëshmitarë të rasteve korruptuese”, është shprehur Kryeziu.

Ai ka thënë se performanca “ecje dhe fishkëllimë”, që ka filluar para ndërtesës së Qeverisë e ka përfunduar në sheshin “Zahir Pajaziti”, është një aksion simbolik, i cili ka thënë të jetë vazhdimësi e aktiviteteve të mëhershme në mbështetje të fushatës që ka të bëjë me Abdullah Thaçin.

“Këtu jemi sot për të dhënë sinjalin, në mënyrë simbolike për të sinjalizuar edhe inkurajuar të gjithë qytetarët që tentojnë edhe kanë mundësi të paraqesin raste të korrupsionit”, është shprehur Kryeziu.

Ai u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve të Kosovës që të mos e ngushtojnë hapësirën dhe të mos i frikësojnë sinjalizuesit e rasteve të korrupsionit. “Të ngushtojnë hapësirën e rasteve të veprimeve korruptuese, të cilat në vazhdimësi për 16 vjet janë duke ardhur në pah nga institucionet shtetërore të Kosovës”, ka theksuar Kryeziu.

Ai ka thënë se Avdullah Thaçi, i cili ka sinjalizuar një rast në Komunën e Prizrenit për keqqeverisje dhe keqmenaxhim të parasë publike nga ana e drejtorit të Arsimit në Prizren, javën e kaluar është dënuar nga Gjykata Themelore me një gjobë pesë mijë euro. “Kjo përveçse është gjobë, ndëshkim i qytetarëve të cilët kanë paraqitur raste të korrupsionit, është edhe frikësim i të gjithë atyre që tentojnë të paraqesin raste të korrupsionit”, ka deklaruar Kryeziu.

Ai ka thënë se me gjithë denoncimin, drejtori i Arsimit në Prizren, i cili dyshohet për vepër korruptuese dhe për keqmenaxhim të parasë publike, vazhdon të jetë drejtor. “Komuna e Kuvendi Komunal në Prizren nuk kanë marr asnjë masë ndëshkimore ndaj këtij drejtori, ai për tre vjet me radhë vazhdon të jetë drejtor”, ka thënë Kryeziu.

Ai ka kritikuar edhe punën e Gjykatës Themelore në Prizren. “Gjykata nuk i ka dhënë prioritet rastit ose të dyshuarit për korrupsion, por, përkundrazi, ka marrë masa veprimi dhe ndëshkimi ndaj denoncuesit të korrupsionit, biznesi u ka punuar, e ka larguar nga puna Abdullah Thaçin qe tre vjet edhe tani dënohet edhe me një shumë prej pesë mijë eurosh”, është shprehur Kryeziu.

Ai ka thënë se nëpërmes kësaj fushate ata duan që të ndihmojnë Thaçin që të grumbulloj mjetet për të paguar dënimin e shqiptuar nga Gjykata.
“Ne jemi të përfshirë në këtë fushatë për të ndihmuar koston financiare të cilën e ka shqiptuar Gjykata për Abdullah Thaçin, për të grumbulluar mjetet. Por gjithsesi edhe për t’i bërë thirrje Qeverisë që të ngushtojë hapësirën e veprimit korruptim të institucioneve, por jo hapësirën e sinjalizimit të qytetarëve për rastet ose veprimet korruptuese nga ana e zyrtarëve publikë apo institucioneve publike”, ka deklaruar Kryeziu.
Ai ka inkurajuar qytetarët që të vazhdojnë t’i denoncojnë publikisht praktikat korruptuese, siç ka thënë, për të fuqizuar institucionet me integritet.
Ndërkohë nëpërmes një komunikate për medie të lëshuar nga KDI-ja, pas aksionit të gjithë qytetarët janë ftuar që brenda mundësive të tyre të ndihmojnë fushatën “Me Abdullah Thaçin”, duke kontribuuar financiarisht për grumbullimin e mjeteve të nevojshme.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kdi-kerkon-qe-te-mbrohen-me-ligj-ata-qe-denoncojne-korrupsionin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala