Kavajë, protestë te Laguna Blu kundër shkatërrimit të ambienteve sportive

Banorët e fshatit turistik “Laguna blu” në Qerret të Kavajës kanë protestuar kundër shkatërrimit të ambienteve të përbashkëta sportive, duke i bërë thirrje përfituesit të tërhiqet dhe qeverisë të mos lejojë zaptimin e terreneve sportive.
“Jemi ankuar në të gjitha instancat, por mesa duket kryeministri është i shurdhër. Atje në Vlorë prishi një ndërtim tërësisht me leje, këtu po bën shurdhin për një ndërtim tërësisht pa leje”, u shpreh një banor i zonës.
Ish-kryetari i komunës së Golemit, i cili ka dhënë këtë leje për ndërtim, thote pronari i fshatit turistik, është tërësisht jashtë kompetencave të tij. Ai ka patur të drejtë të japë vetëm leje provizore për shfrytëzim plazhi në periudhë vere, shton ai.
Adem Vila, pronar i fshatit turistik Qerret, tha: “Erdhën para ca ditësh, shpërthyen rrethimin, nisën punimet në një ambient që është i përbashkët. Nuk ka të drejtë njeri të japë leje ndërtimi këtu. I them atij “padrinos” të tërhiqet se po e bën më keq se ISIS-i”.
Protestuesit më pas kanë prishur rrethimin e vendosur nga firma zbatuese e projektit dhe shprehen të bindur në mbrojtjen e hapësirave të përbashkëta.
Ndërtimi i vilave në Lagunën Blu gjithashtu është shndërruar ditët e fundit në betejën politike mes qeverisë dhe opozitës, pasi kjo e fundit akuzoi kryeministrin Edi Rama për favorizim të klientëve të tij mediatikë, siç u shprehën përfaqësuesit e Partisë Demokratike. Ndërsa qeveria reagoi duke sqaruar se leja është dhënë nga një kryekomunar i opozitës.