Katër ushtarë amerikanë vriten në dy qendra ushtarake në SHBA

Autori:Avdyl Pajaziti

Katër pjesëtarë të ushtrisë amerikanë u vranë nga të shtënat në dy qendra ushtarake në shtetin jugor amerikan, Tennessee. Sipas Zërit të Amerikës, autoritetet amerikane thanë se po e trajtojnë sulmin si një akt të terrorizimit të brendshëm.

Zyrtarët thanë se sulmuesi që hapi zjarr u vra po ashtu në këtë incident. Disa persona të tjerë janë plagosur, në mesin e tyre edhe një oficer policie.

Autoritetet thanë se sulmuesi hapi zjarr në një zyrë ushtarake në një qendër rekrutimi në qendrën tregtare Chattanooga, ku ndodhen pesë zyra të degëve ushtarake.

Të shtënat filluan rreth orës 10 e 30 apo 10 e 45 sipas kohës lokale tha rreshteri Robert Dodge, udhëheqës i qendrës së rekrutimit të ushtrisë amerikane.

“Pas pak, pas pak sekondash, sulmuesi vazhdoi të qëllojë”, tha ai.

Ai dhe shokët e tij u hodhën përtokë duke u barrikaduar në një vend të sigurt. Dodge mendon se ka pasur 30 deri në 50 të shtëna.

Ai nuk e ka parë sulmuesin apo makinën. Zyra e rekrutimit nuk ka pësuar dëme, por dyert dhe xhamat janë dëmtuar në zyrat e Forcave Ajrore dhe Marinës, tha ai.

Sulmuesi pastaj u drejtua për në Qendrën e Mbështetjes Operacionale të Marinës dhe Qendrën e Trupave Rezervë të Marinës, rreth dhjetë kilometra më tej në një makinë që dëshmitarët e përshkruan si një Mustang të hapur. Sipas dëshmitarëve, ai qëlloi me breshëri.

Qendra ndodhet në një zonë të industrisë së lehtë. Dy hyrje në objektin e rrethuar kanë dyer të komanduara dhe pengesa betoni që synojnë të ngadalësojnë makinat që afrohen dhe të lëvizin përreth tyre.

Kur zjarri pushoi, sulmuesi u gjet i vrarë. Zyrtarët nuk thanë nëse ai ishte qëlluar apo ishte vetëvrarë.

Trupat e marinës konfirmuan se katër marinsë në qendrën e trupave rezrevë, janë vrarë. Identiteti i tyre nuk është bërë i ditur në pritje të njoftimit të familjeve.

“Ne po e trajtojmë këtë si një akt të terrorizimit të brendshëm”, tha Bill Killian, prokuror i distriktit lindor në Tennessee, ndonëse agjenti special i FBI-së Ed Reinhold, tha se autoritetet ende po hetojnë motivet.

Kanali CBS news citoi dy burime nga forcat e rendit të kenë thënë se sulmuesi u identifikua si Muhammad Youssef Abdulazeez.

“Sot ishte tmerr për qytetin Chattanooga”, tha prefekti Andy Berke. “Ne do t’i përgjigjemi kësaj me të gjitha burimet që kemi”, tha ai.

Presidenti Barack Obama e quajti sulmin të tillë që “të copëton zemrën” dhe u bëri thirrje amerikanëve të luten për familjet e viktimave. Ai tha se hetimet do të jenë të shpejta dhe të plota.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kater-ushtare-amerikane-vriten-ne-dy-qendra-ushtarake-ne-shba/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala