Kalimi i kufirit Kosovë-Shqipëri për pesë minuta

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryeministri Edi Rama bashkë me homologun kosovar Isa Mustafa bënë inaugurimin e pikës së përbashkët doganore Shqipëri- Kosovë, në Morinë. Kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi si një hap të rëndësishëm drejt bashkimit të synuar doganor, përmes të cilit i jepet fund një kapitulli vonesash dhe pengesash në të dy anët e kufirit dhe që ka nevojë për këtë pikë shërbimi pa asnjë pengesë kohe dhe burokracie. Rama tha se në këtë mënyrë marrin fund procedurat dhe kostot e dyfishta pasi bëhen dy shtete dhe një hapësirë.

“Nga sot nuk janë më dy ditë vonesat për të kaluar mallin nga njëra anë në tjetrën, por mjaftojnë vetëm 5 minuta. Bashkëudhëtim përtej kufijve për bashkimi kombëtar dhe evropian me Kosovën ka hasur shumë vështirësi dhe shumë skeptikë që për shkak të pengesave të pakapërcyera në vite, na rikujtonin vijimësisht se mes të thënës dhe së bërës është një det i bërë, sipas tyre i pamundur për tu kapërcyer, por sipas nesh jo vetëm i mundur por hap përpara. Bashkimi i zyrës doganore dhe faktikisht një zyrë e vetme doganore për dy vendet toan, nuk është kosoto e dyfishtë kohe dhe as kosto e dyfishtë parash, por një shërbim i vetëm që shkrin dy sistemet”, u shpreh Rama. Ai shtoi se nga sot porti i Durrësit është pika e vetme e kontrollit dhe mjafton procedura e Durrësit për të mbërritur në Prishtinë, Prizren e kudo tjetër, pa qenë nevoja për të ndalaur dhe për të kryer procedurat edhe në Morinë. Në vijim ai tha se më 2 shkurt u lidh kontrata për të zgjeruar pikën hyrëse të Morinës, në mënyrë që të mos ketë më asnjë dallim dhe asnjë pengesë, dhe gjatë periudhës së verës në këtë pikë do të fillojë një regjim i ri, ku nuk do të ketë kontrolle një për një të veturave kur familjet e Kosovës vijë në Shqipëri për të kaluar pushimet, por do të ketë një kontroll të rastësishëm për të bërë të mundur që kjo të jetë një pikë kalimi dhe jo pikë kontrolli. Rama deklaroi se më tej do të ndërtohet dogana e përbashkët Morinë- Vërmicë.

Ndërsa shefi i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, tha se ky bashkëpunim do të jetë shprehje e lidhjes në mes të dy vendeve dhe shprehje e mos ekzistimit të kufijve në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Qëllimi i kësaj nuk është vetëm të i shkurtojmë procedurat kohore të doganimit, por, qëllimi është të ulim edhe koston nga e cila do të përfitojnë bizneset dhe qytetarët”, tha Mustafa

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kalimi-i-kufirit-kosove-shqiperi-per-pese-minuta/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala