Kadri Veseli kërkon transparencë

Autori:Zekirja Shabani

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha të mërkurën se nuk mjafton vetëm njëherë në katër vjet të pyeten qytetarët se si duan të qeverisen, por sipas tij është e nevojshme që gjatë gjithë kohës ata të jenë pjesë aktive në procesin e krijimit të ligjeve dhe hartimit të politikave publike.

Veseli këto komente i bëri në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik Kombëtar lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve përmes transparencës parlamentare.

“Është nevojshme që gjithë kohën ata të jenë pjesë aktive në procesin e krijimit të ligjeve dhe hartimit të politikave publike. Kosova është një demokraci e re, me një traditë parlamentare në fillet e saj, por duhet theksuar se që nga fillimi, Kuvendi i Kosovës ka qenë i përkushtuar ndaj pjesëmarrjes qytetare dhe bërjes transparente të punës së tij”, tha Veseli.

Kryetari i Kuvendit tha se që nga viti 2001 e deri më sot janë ndërmarr hapa të rëndësishëm dhe konkret në funksion të këtij qëllimi. Ai tha se është i përkushtuar që në komisionet parlamentare, aty ku bëhet puna më e madhe në hartimin e ligjeve, të rritet niveli i pjesëmarrjes së shoqërisë civile, grupeve të interesit, ekspertëve të pavarur si dhe prezenca e mediave.

Veseli tha se njësoj sikurse seancat parlamentare, edhe komisionet parlamentare duhet të transmetohen gjerësisht në media.

“Niveli i qasjes së gazetarëve në informatat parlamentare duhet të jetë në nivelin e standardeve më të larta demokratike. Ne kemi përmirësuar qasjen fizike të mediave dhe po zgjerojmë mundësitë e transmetimit medial. Në ueb faqen e Kuvendit të Kosovës ka mungesa dhe aktualisht jemi duke punuar në disa ide që kjo ueb faqe të dinamizohet dhe pasurohet me të gjitha informatat që janë me interes për mediat dhe qytetarët”, u shpreh Veseli, duke shtuar se zgjedhësit kanë të drejtë të shohin se si po punojnë të zgjedhurit e tyre.

Kryetari i Kuvendit tha se transparenca e llogaridhënia janë vlera të pandashme nga njëra-tjetra.

“Unë zotohem nga kjo tryezë që bashkë me ju dhe të gjithë deputetët, Kuvendin e Kosovës ta bëjmë plotësisht të hapur në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të transparencës parlamentare”, është shprehur Veseli.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kadri-veseli-kerkon-transparence/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala