Kadri Veseli interesohet për ligjet që prekin bizneset

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot, Agim Shahinin, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit me bashkëpunëtorë nga disa kompani prodhuese të njohura vendore.

Kryetarit Veseli i janë paraqitur misioni, gjendja e sfidat e Aleancës Kosovare të Biznesit. Ata e njohën kryetarin Veseli me procedurat e zgjedhjeve të fundit në nivelin lokal, rajonal dhe qendror të AKB-së.

Në takim u fol për situatën e të bërit biznes në vend, tatimet, konkurrencën, çështjen e doganave, lirimin nga TVSh-ja, energjinë si dhe problematikën që e përcjell prodhuesin vendor, kompanitë vendore, si dhe perspektivën e krijimit të vendeve të reja të punës.

Veseli premtoi mbështetjen e plotë institucionale për ekonominë dhe asociacionet profesionale që organizojnë, promovojnë dhe mbrojnë interesat e biznesit, duke theksuar se ekonomia në parlament do të jetë me prioritet të lartë.

“Do të mbështes iniciativat tuaja që të jeni çdo ditë në Kuvend dhe afër hartimit të ligjeve që lehtësojnë punën e biznesit vendor, të keni ndikimin e merituar për zhvillimin e vendit. Prania e çështjes së zhvillimit ekonomik në çdo seancë plenare do të jetë e mirëseardhur. Kontribuoni që të hiqen pengesat që frenojnë punësimin dhe iniciativën private, investimet në vend, prodhimin vendor dhe punësimin e të rinjve tanë”, tha Veseli.

Kryekuvendari Veseli i inkurajoi të pranishmit që së bashku me asociacionet tjera që merren me promovimin e biznesit të krijojnë prioritetet dhe ato t’i parashtrojnë në Kuvend me qëllim të lehtësimit të të bërit biznes, lehtësimin e klimës biznesore dhe tërheqjen e investitorëve.

Shahini ia dorëzoi kryetarit Veseli analizën vjetore të AKB-së për profilet e profesioneve të kërkueshme dhe profesionet që kërkojnë punë, botim ky që është në shërbim edhe të institucioneve për të planifikuar orientimin e aftësimit profesional. AKB përfaqëson mbi 10,500 kompani nga të gjitha pjesët e Kosovës.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kadri-veseli-interesohet-per-ligjet-qe-prekin-bizneset/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala