Kadri Veseli fton në debat partitë opozitare

Autori:Gazeta Fjala

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një letre publike iu është drejtuar deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, tri partive opozitare të cilat kanë bllokuar punimet e Kuvendit me kërkesën për tërheqje të nënshkrimit të Kryeministrit Isa Mustafa nga marrëveshja me Serbinë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe për demarkacionin me Malin e Zi.

Në këtë letër, Veseli kërkon takim me opozitën gjatë kësaj jave për t’i diskutuar çështjet e ngritura nga ta.

Në vijim ju sjellim letrën e plotë:

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lëvizja Vetëvendosje!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën,

Ratifikimi i MSA-së në Kuvendin e Kosovës ka shënuar një hap të rëndësishëm në procesin tonë të shtetndërtimit. Përmes kësaj marrëveshje edhe formalisht është qartësuar rruga jonë e integrimit në strukturat euro-atlantike.

MSA–ja përbën një potencial të rëndësishëm për zhvillim ekonomik të vendit tonë. Pas MSA-së, presim edhe vendimmarrje pozitive në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Këto suksese janë tregues të qartë se Kosova është duke ecur përpara. Raporti i Progresit për Kosovën i Komisionit Evropian evidenton në mënyrë të qartë këtë përparim.

Ngjarjet e fundit në Kuvendin e Kosovës, kanë dërguar në botë mesazhe jo të mira për ne. Imazhi ynë është dëmtuar. Janë lëkundur edhe pozicionet tona të korrektësisë reciproke politike dhe fryma e bashkëpunimit, falë të cilës kemi arritur suksese të përbashkëta historike.

Ajo çfarë e dallon demokracinë nga format tjera të qeverisjes është besimi tek vlerat e debatit parlamentar dhe sundimit të ligjit. Parlamentet janë krijuar që vendimmarrja politike të arrihet përmes fuqisë së fjalës së argumentuar. Në thelbin e tyre ato nënkuptojnë përjashtimin e dhunës si akt politik.

Pa respektuar këto parime, do të jetë vështirë që dallimet politike të shfaqura së fundi të kanalizohen në vendimmarrje demokratike, të dobishme për vendin dhe qytetarët tanë.

Të nderuar kolegë nga radhët e Lëvizja Vetëvendosje!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën,

Ju ftoj që këtë javë, ose në një datë tjetër të përcaktuar, të mblidhemi dhe së bashku në Kuvendin e Kosovës të debatojmë hapur dhe pa prejudikime për çështjet e ngritura nga Ju.

Ne nuk duhet të harrojmë për asnjë moment se jemi zgjedhur përfaqësues të popullit të Kosovës.

Ne kemi obligime ndaj qytetarëve të Kosovës dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Kemi edhe obligime të partneritetit me shtetet mike të vendit tonë.

Kemi përpara ligje të rëndësishme që i presin qytetarët dhe marrëveshje ekonomike ndërkombëtare me partnerët tanë që duhet të kalojnë përmes Kuvendit.

Prandaj duhet të veprojmë!

Ju besoni se jeni duke përfaqësuar shqetësimet e qytetarëve dhe kjo është legjitime, por përfaqësimi politik nuk arrihet duke e penguar punën e Kuvendit, jashtë Kuvendit dhe pavarësisht prej tij, përderisa Republika jonë është demokraci kushtetuese dhe parlamentare.

Bashkëpunimi në Kuvend është rruga e duhur për të arritur deri te konsensusi politik, në kuadër të përgjegjësive tona si të zgjedhur të popullit, duke respektuar në të njëjtën kohë iniciativat tjera që janë në funksion të normalizimit të jetës parlamentare dhe këshillat e partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Ne mund të punojmë së bashku, sepse janë gjërat e mëdha ato që na bashkojnë, atdhedashuria dhe vizioni i përbashkët euro-atlantik për Republikën e Kosovës. 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kadri-veseli-fton-ne-debat-partite-opozitare/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala