Kadri Veseli flet nga Krusha

Autori:Avdyl Pajaziti

Kadri Veseli morri pjesë në përvjetorin e masakrave në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël ku me 26 mars 1999 forcat serbe kishin djegur dhe vrarë popullsinë e këtyre ty fshatrave.

” Krushën e Madhe të mendimtarit më të madh të lirisë sonë, intelektualit të pashoq, Ukshin Hotit, të cilin që nga viti 1981 e torturonin burgjeve, por nuk arrinin ta thyenin shpirtin e tij” shkroi Veseli në facebook.

Për Veselin, Krusha është vend i kujtesës kombëtare që e mban gjallë kombin, vetëdijen, moralin, idealet dhe të ardhmen e vendit.

“Sa herë që ne do të kemi hamendje në vlerat tona, në moralin dhe synimet tona për të ardhmen tonë, ne duhet të ndalojmë te ky vend martir, duhet të kthehemi në Krushë, për të dëgjuar zërin e lirisë, leksionin e përjetshëm të njerëzimit se liria-vlera më e madhe e popujve, i ka rrënjët në dhimbjet dhe sakrificat njerëzore”, shtoi ai.

Shkrimi i tij:

Sot isha në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël, në përvjetorin e masakrave në këto dy fshatra të kryera nga forcat e regjimit fashist të Milosheviqit, në marsin e vitit 1999. Ky regjim, duke parë fundin e tij në Kosovë, po lëshohej me egërsinë më të madhe mbi qytetet dhe fshatrat tona duke djegur e vrarë popullsinë e pafajshme civile. Kosovën synonte ta kthente në tokë të djegur, sepse nuk po arrinte ta mbante të nënshtruar.

Më 26 mars 1999, kjo egërsi mbuloi edhe Krushën e Madhe dhe Krushën e Vogël. Krushën e sa e sa patriotëve që për gjatë një shekulli dhanë jetën dhe mundin e tyre për lirinë e Kosovës.

Krushën e Madhe të mendimtarit më të madh të lirisë sonë, intelektualit të pashoq, Ukshin Hotit, të cilin që nga viti 1981 e torturonin burgjeve, por nuk arrinin ta thyenin shpirtin e tij.

E dogjën Krushën e Madhe, i vranë djemtë dhe burrat e saj, por nuk munden t’ia thyejnë shpirtin dhe besimin e saj në çlirimin e Kosovës.

Me të njëjtën barbari u sulen edhe mbi Krushën e Vogël. Por Krusha e Madhe mbijetoi. Mbijetoi edhe Krusha e Vogël. Ato, sot, janë të lira dhe të lira do të jenë përgjithmonë. Krusha është vend i dhimbjes sonë, por edhe i krenarisë sonë.

Krusha është vend i kujtesës sonë kombëtare. Janë vendet e kujtesës ato që mbajnë gjallë kombin, vetëdijen e tij, moralin e tij, idealet për të ardhmen e tij.

Prandaj, sa herë që ne do të kemi hamendje në vlerat tona, në moralin dhe synimet tona për të ardhmen tonë, ne duhet të ndalojmë te ky vend martir, duhet të kthehemi në Krushë, për të dëgjuar zërin e lirisë, leksionin e përjetshëm të njerëzimit se liria-vlera më e madhe e popujve, i ka rrënjët në dhimbjet dhe sakrificat njerëzore.
Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/veseli-krusha-vend-i-kujteses-kombetare-vend-ku-degjohet-zeri-i-lirise-fo-89588/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kadri-veseli-flet-nga-krusha/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala