Jo stabiliteti politik në Kosovës shqetëson bizneset gjermane

Autori:Avdyl Pajaziti

Përfaqësuesit e komunitetit të bizneseve gjermane janë të angazhuara për promovim të mundësive për investime në Kosovë, por shqetësues për ta mbetet fakti i jo-stabilitetit politik në Kosovë, sidomos tani me bllokadën e Parlamentit dhe jetës institucionale në vend si dhe siguria juridike dhe sundimi i ligjit që paraqet rrezik për çdo investim potencial gjerman në Kosovë.

Kjo u potencua gjatë takimit të drejtuesve të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) në Gjermani me shoqata të biznesit të këtij vendi.

Kryetari i OEK-ut, Gërxhaliu dhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Skender Xhakaliu, kanë prezantuar rreth gjendjes ekonomike në Kosovë, mundësive për investime dhe mundësive për partneritet në projekte të bashkëpunimit bilateral, por edhe regjional në të gjitha aspektet e bashkëpunimit ekonomik.

“Drejtori i Komitetit lindor të ekonomisë gjermane, Rainer Lidner, shprehi brengosjen e thellë me situatën aktuale politike në Kosovë, që vazhdimisht po përçon sinjale krize dhe rritje mosbesimi te investitorët gjerman dhe më gjerë”, thuhet në njoftimin e OEK-ut për media.

Delegacioni i OEK-ut, ka zhvilluar takim edhe me përfaqësuesit e kompanisë gjermane “Bilfinger”, e cila prezantoi idetë dhe mundësitë për zhvillimin e projektit të tyre për prodhim të energjisë si pjesë e revitalizimit të blloqeve të Termocentralit “Kosova A”.

Kryetari Gërxhaliu, ka kërkuar nga drejtuesit e kompanisë “Bilfinger” të bashkëpunojnë me OEK-un, dhe institucionet vendore në ofrimin e një qasje konstruktive që mundëson zhvillimin e këtij projekti në mënyrë të strukturuar dhe duke adresuar qartë mundësitë, benefitet, kostot, aspektet ligjore dhe aspektet financiare që mundësojnë implementim të shpejtë të këtij projekti të rëndësishëm për sektorin energjetik të vendit.

“Një projekt i tillë ka rëndësi në bashkëpunimin ekonomik me Gjermaninë, por edhe aspektin strategjik si prezantim i një suksesi në investime që mund të nxit shumë efekte pozitive multiplikative”, ka thënë Gërxhaliu.

Fokus i vizitës në Gjermani të drejtuesve të OEK-ut, ishte edhe avancimi i partneritetit me institucionet gjermane për fuqizim të arsimit profesional në Kosovë, si e vetmja mundësi për reformë në edukim dhe përgatitje të fuqisë punëtore për tregun e punës.

Kjo çështje ishte temë e diskutimit me Konfederatën e ndërmarrjeve të vogla të Gjermanisë që ofrojnë trajnime dhe certifikime profesionale për fuqinë punëtore të të gjitha kompanive gjermane të cilët premtuan mbështetje institucionale për OEK-un në përpjekjet për zhvillimin e modelit për arsim profesional në Kosovë, që mundëson edukim të duhur të fuqisë punëtore.

Po ashtu thuhet se takimi ishte i rëndësishëm edhe për faktin që në Gjermani është duke u përgatitur ligji që mundëson punësimin e rreth 20 mijë të rinjve nga Ballkani Perëndimor, ku edhe Kosova mund të dërgojë fuqi punëtore të kualifikuar.

Gerxhaliu bëri apel për përkrahje të bizneseve gjermane për liberalizim të vizave për Kosovën që do të nxiste mobilitetin më të shpejtë të kapitalit, teknologjisë dhe fuqisë punëtore.

Delegacioni i OEK-ut janë takuar me shoqatat e biznesit gjerman si: Unioni i odave tregtare të Gjermanisë (DIHK), Komiteti lindor i ekonomisë Gjermane (OstAuschuss) dhe Odë ekonomike të Berlinit (IHK Berlin). /Telegrafi

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/jo-stabiliteti-politik-ne-kosoves-shqeteson-bizneset-gjermane/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala