Jo seanca të reja, pa garantuar mbarëvajtjen e tyre

Autori:Avdyl Pajaziti

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), dënon ashpër përdorimin e gazit lotsjellës në sallën e seancave dhe kërkon nga subjektet politike opozitare të ndalojnë praktikën e bllokimit të punimeve në Kuvend.

Përdorimi i mjeteve të rrezikshme në Kuvend, sipas KDI-së, nuk është mjet i partive politike për realizim demokratik të synimeve të tyre – është veprim kundër çdo praktike parlamentare dhe nuk ka të bëjë aspak vlerat e një shoqërie demokratike.

“Angazhimi për ndërtim dhe fuqizim të shtetit të Kosovës nuk është një e drejtë ekskluzive e opozitës, por përgjegjësi e shpërndarë tek të gjithë sektorët në bazë të mandatit që kanë dhe fuqisë që iu është dhënë nga qytetarët përmes votës”, thuhet në një reagim të KDI-së.

KDI vlerëson së në seancën e djeshme ka dështuar aspekti i sigurimit të mbarëvajtjes së punimeve, përgjegjësi kjo e Kryetarit të Kuvendit.

“Duke eksperimentuar me taktikat e zhbllokimit të njëanshëm të seancës, situata është tensionuar edhe më tepër ndërmjet deputetëve. Këto situata kanë potencial të rrëshqasin në konfrontime fizike, veprime të cilat duhet shmangur me domosdoshmëri”, vazhdohet më tej në reagim.

Në këtë drejtim, KDI i bën thirrje Kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit, që të mos ftojnë seanca të ardhshme pa gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, në mënyrë që të shmanget çdo përshkallëzim i mundshëm i situatës.

“Zhvillimet e fundit në Kuvend, po shpërfaqin dështim të institucioneve në ushtrimin e funksioneve të tyre kushtetuese, gjë që seriozisht rrezikon të destabilizojë vendin. Andaj, kërkojmë përgjegjësi dhe seriozitet më të madh karshi gjendjes së krijuar, duke përfshirë të gjithë akterët politik dhe institucional në vend”, përfundohet në reagimin e KDI-së. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/jo-seanca-te-reja-pa-garantuar-mbarevajtjen-e-tyre/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala