Jeta me plagën e hapur për të pagjeturit

Autori:Avdyl Pajaziti

Çështja e personave të pagjetur tash 16 vjet pas luftës së fundit në Kosovë, ende mbetet njëra ndër temat kryesore për familjarët e tyre. Zyrtarisht në Kosovë ende figurojnë mbi 1 mijë e 650 persona të zhdukur. Kjo çështje ende nuk ka marr fund për familjarët të cilët presin dita ditës ndonjë lajm për ta.

Ankthi dhe ëndrrat që kanë familjarët për të pagjeturit ende nuk janë shuar.

Ndërsa institucionet vendorë nuk kanë bërë aq sa duhet për procesin e personave të zhdukur, bile ky problem nuk arritur ende në tryezën e bisedimeve në Bruksel me palën serbe.

E gjithë kjo vihet në kundërshtim nga faktori ndërkombëtar për të kaluar si rend diskutimi në Bruksel. Kështu së paku thotë Prenk Gjetaj – kryesues i Komisionit Qeveritar për persona të pagjetur.

Ai për ka thënë se, Komisioni ka dërguar disa herë kërkesë Kryeministrisë, që në Bruksel të bisedohet edhe për personat e pagjetur, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Ne kemi paraqitur kërkesat tona që kjo temë të vihet në bisedimet me palën serbe në Bruksel, por deri më tani nuk ka ndodhur. Nuk është e gjitha nga ana jonë kur në këtë proces, mbikëqyrje ka edhe nga faktori ndërkombëtar, ata janë të cilët nuk po i kushtojnë vëmendje kësaj çështje”, ka deklaruar Gjeta.

Ndër të tjera, Gjeta thotë se komisioni po bënë punën etij duke vlerësuar disa pika lokacioni si të dyshuara për varreza masive.

Sipas tij, Veriu i Mitrovicës mbetët si vend i dyshuar si dhe Zubin Potoku.

“Ne jemi duke dhënë maksimumin tonë për këtë çështje, jemi duke vlerësuar disa vende të dyshuara në Kosovë dhe po presim vlerësimet finale. Ne dyshojmë se në Veri të Mitrovicës mund të ketë varreza masive dhe në Zubin Potok. Shpresojmë që të reflektohet në këtë drejtim”, ka thënë Gjeta.

Ndërsa familjarët dhe shoqatat, procesin e personave të pagjetur e shohin si të neglizhuar dhe të lënë pas dore.

Bajram Qerkini nga shoqata “ Zëri i Prindërve”, thotë se fajin kryesor për këtë proces e kanë Qeveria dhe faktori ndërkombëtar.

“Problemi jonë që ne e kemi në shpirt për të afërmit tanë, nuk po merret parasysh dhe ndihemi të neglizhuar. Pak është duke u punuar në çështjen e të pagjeturve, faktori ndërkombëtar nuk po merret aspak bile as vendorët. Si duket po u konvenon kjo punë dy palëve, por ne jemi ata që po pësojmë me tërë këtë ankth qe 16 vite”, ka thënë Qerkini.

Qerkini ndër të tjera thotë se kanë bërë disa kërkesa në adresë të institucioneve dhe në adresë të departamentit të mjekësisë ligjore duke kërkuar nga këta të fundit të raportojnë për personat e pagjetur.

“Me të gjitha format jemi duke u mundur të kërkojmë të drejtat tona, qe 6 muaj nuk ka asnjë gërmim apo diçka të ngjashme, ne jemi duke pritur duke qenë të lënduar në shpirt për këto zvarritje”, ka thënë Qerkini duke shtuar se gërmimet që janë bërë së fundmi në Bajtanicë, Kozicë dhe Novi Pazar, janë mbetur gjysmë të papërfunduara.

Behxhet Shala, nga Këshilli Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, procesin e zvarritjes së personave të pagjetur e sheh si shkelje e të drejtave të familjarëve pasi që sipas tij, po bëhet e padrejtë ndaj të së vërtetës.

Ai thotë se edhe Bashkësia Ndërkombëtare duhet t’i bëj më shumë presion Serbisë, që familjarët e të zhdukurve të mos presin aq gjatë.

“Është shqetësuese se si deri më tani nuk ka asnjë reflektim në këtë proces, familjarët e gëzojnë të drejtën e tyre të garantuar për të marr informacione dhe të kërkojnë të afërmit e tyre. Po luhet me ndjenjat e familjarëve dhe kjo është e pamoralshme dhe në kundërshtim më të drejtat njerëzore. Mendoj që edhe ndërkombëtarët do të duhej të bënin më shumë presion tek Serbia që ti kthej personat e zhdukur dhe të hiqet ankthi tash e sa vite për familjarët”, ka thënë Shala për “Zëri”.

Vlen të theksohet se Kosova ka arritur marrëveshje me Malin e Zi për shkëmbim informacione mes dy vendeve për fatin e shumë personave të zhdukur.

Gjithashtu edhe disa vende të rajonit si Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina kanë shprehur gatishmëri për të ndihmuar në përpilimin e listave për persona e pagjetur në këto vende që mund të jenë. /Zëri/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/jeta-me-plagen-e-hapur-per-te-pagjeturit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala