Jeta fillon kur je 50 vjeç

Autori:Avdyl Pajaziti

Cilat janë vitet më pak të lumtura në jetën e një njeriu? Kur fillon vërtet lumturia? Një studim i kryer nga Instituti Australian për Studimin e Familjes hedh poshtë thënien e vjetër se “jeta fillon 40 vjeç”. Në fakt, sipas studimit, jeta fillon 50 vjeç.

Sipas të dhënave të mbledhura nga studiuesit, deri në moshën 15-vjeçare, njerëzit janë të kënaqur. Por pas të 20-ave, niveli i kësaj kënaqësie bie dukshëm dhe vijon rënien graduale deri në moshën 35-vjeçare.

Pas kësaj moshe, të qenit i lumtur me jetën mbetet në nivele minimale deri sa arrin në të 50-at, kur fillon përmirësimi, i cili vijon deri në 80 vjeç.

Studimi është bazuar në vëzhgimin e mbi 27 mijë personave të moshës 15-90 vjeç, gjatë një harku kohor 12-vjeçar. Gjatë kësaj kohe, ata janë pyetur vazhdimisht nëse janë të kënaqur me jetën e tyre dhe u është kërkuar ta vlerësojnë jetën e tyre me një notë nga 0 në 10, lidhur me ngjarje si largimi nga shtëpia e prindërve, lindja e fëmijëve, divorci, pensioni apo vdekja e partnerit.

Sa i përket ndarjes femra-meshkuj, niveli i lumturisë në moshë të rritur favorizon burrat, por rolet ndërrohen në moshë të mesme, për t’u barazuar në periudhën e pensionit.

Eksperti që ka drejtuar studimin, David de Vaus, thotë se mosha më e vështirë është ajo nga 35 në 50 vjeç, kur pesha e faturave për t’u paguar është më e madhe, si dhe shtohet presioni i karrierës e ai i rritjes së fëmijëve.

“Është mosha në të cilën presionet e punës shkojnë drejt maksimales, kur ka ndryshime të forta në karrierë dhe ndarjet e divorcet janë më të mundshme”, thotë ai për moshën pas të 35-ave.

Rritja e nivelit të lumturisë lidhet me martesën, nisjen e bashkëjetesës me partnerin dhe për gratë muajt e shtatzënisë. Niveli i lumturisë bie menjëherë për femrat dhe meshkujt para vdekjes së partnerit, për shkak të sëmundjeve që i paraprijnë. Lumturia arrin nivelin minimal në vitin e parë pas largimit nga jeta të partnerit/es.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/jeta-fillon-kur-je-50-vjec/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala