Jep dorëheqje drejtori i përgjithshëm i Policisë Shqiptare

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shqiptare, Artan Didi, të martën ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga kjo pozitë, por nuk ka dhënë detaje për arsyet e largimit të tij.
Didi, në një mbledhje të mbajtur me dyer të mbyllura sot paradite ka informuar vartësit e tij për dorëheqjen, por sipas Gazetës Shqip, arsyeja duhet të jetë skandali me fshehjen e kërkesës së Interpolit për arrestimin e deputetit të mazhorancës, Mark Frroku.
Vendimi për dorëheqje i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Shqiptare vjen pas arrestimit të shefit të zyrës së Interpol Tirana, Artan Bajraktari dhe specialistes Loreta Alla.
Bajraktari dhe Alla u prangosën nën akuzën se nuk ia kishin përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Drejtësisë apo institucioneve të tjera të zbatimit të ligjit kërkesën e Interpolit belg për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të deputetit të mazhorancës, Mark Frroku.
Ka dyshime që edhe Didi e ka ditur rastin dhe ka fshehur kërkesën e Interpolit, mirëpo sipas Gazetës Shqip, për këto dyshime priten të bëhen hetime që do të zbardhin përgjegjësinë e tij, dhe po ashtu pritet të zbardhet edhe aktiviteti ilegal i deputetit Mark Frrokut në Belgjikë, shumë vite më parë.
Ndërkohë, e arrestuara Alla, dyshohet se ka manipuluar edhe me faktet në kohën kur kryekomisari Dritan Lamaj kërkonte informacion për vëllezërit Mark dhe Arben Frroku. Bëhet fjalë për shkresën e dërguar më 23 mars të vitit 2012, rreth një vit para se Lamaj të ekzekutohej në pritë, vrasje për të cilën akuzohet Arben Frroku, vëllai i deputetit Mark Frroku.
Por, në fshehjen e informacioneve të tilla, përfshi edhe kërkesën e autoriteteve belge për arrest ndërkombëtar të deputetit Frroku, të dërguar në janar të këtij viti, mendohet se janë përfshirë edhe ish-drejtues apo drejtues të tjerë të policisë, të cilët mund të duhet të përballen me drejtësinë në ditët në vijim.