Java vendimtare drejt UNESCO-s

Autori:Avdyl Pajaziti

Sot në Paris nis edhe zyrtarisht punimet Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s, e cila do të zgjasë deri më 18 nëntor 2015.

Votimi për rekomandimin e Bordit Ekzekutiv të kësaj Organizate rreth pranimit të plotë të Kosovës pritet të merret më 9 nëntor.
Kështu Kosova që nga sot hyn në javën e saj të fundit të lobimit rreth pranimit të plotë në këtë Organizatë. Zyrtarët politikë të vendit do të zhvillojnë takimet e tyre të shumta brenda kësaj jave për të bindur “të pabindurit”.

Nga 195 anëtarë sa ka Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s në favor të pranimit të Kosovës në këtë Organizatë duhet të votojnë dy të tretat (2/3) e tyre apo 130 shtete. Kosovën deri më sot e kanë njohur 111 shtete, andaj për të siguruar pranimin e plotë duhet të sigurojë edhe votat e vendeve të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit. Edhe më të vështirë situatën për Kosovën e ka bërë lobimi kundër anëtarësimit të Kosovës Serbia.

Madje, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se Serbia do të luftojë deri në fund. “Ne do të luftojmë deri në fund. Ky është qëndrim i Qeverisë së Serbisë, kryeministrit dhe presidentit. Ne nuk kemi asgjë më të rëndësishme”, ka thënë Daçiq, i cili ka pranuar se kjo do të jetë një luftë me përfundim të paqartë deri në fund.

Ndërkohë Visar Arifaj, këshilltari politik i ministrit të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka thënë për “Zërin” se Kosova së bashku me partnerët ndërkombëtarë është duke bërë gjithçka që votimi të shkojë në favor të Kosovës.

“Jemi duke lobuar shumë. Edhe kryeministri, edhe presidentja, edhe ministrat, edhe ambasadat janë vënë në shërbim të lobimit për në UNESCO. Duhet të pranojmë që edhe Serbia është duke lobuar në anën e vet kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO”, ka thënë Arifaj. /Zëri/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/java-vendimtare-drejt-unesco-s/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala