Java “Speciale”

Presioni i madh ndërkombëtar ka mbështetur për “muri” Kuvendin e Kosovës, i cili pritet që këtë javë ta përmbyllë çështjen e votimit të Gjykatës Speciale, që do të trajtojë krimet e supozuara të luftës së UÇK-së.
Amendamentet kushtetuese bashkë me Projektligjin për Gjykatën Speciale pritet të jenë këtë të enjte, më 18 qershor, në rend dite para deputetëve të Parlamentit për miratim.
Partnerët e koalicionit, PDK-LDK, bashkë me minoritaret ka përgatitur terrenin për t’i siguruar 2/3 e votave të deputetëve për “bekimin” e Gjykatës Speciale, në të kundërtën në rast se legjislativi dështon, atëherë i hapet rruga KS-së të OKB-së që të krijojë një Tribunal për Kosovën. Edhe pse Kryesia e Kuvendit zyrtarisht nuk ka vendosur për procedimin e Projektligjit për Gjykatën Speciale bashkë me amendamentet kushtetuese, megjithatë kjo do të jetë java e fundit kur deputetët duhet të miratojnë Dhomat e Specializuara. Shefi i GP-së të “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, ka paralajmëruar se këtë të enjte pritet të jetë në rend dite çështja e Gjykatës Speciale.
Gazeta “Zëri” ka marrë vesh se kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, gjithashtu ua ka tërhequr vërejtjen shefave të grupeve parlamentare që deputetët e tyre të mos lëvizin gjatë kësaj jave në udhëtime zyrtare jashtë vendit dhe në çdo moment të jenë në gjendje gatishmërie për ta votuar Gjykatën Speciale. (Zëri)