Janusz: Vatikani e njeh realitetin e ri të Kosovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi sot takim me Juliusz Janusz, delegat apostolik i Vatikanit për Republikën e Kosovës. Në takimi u bisedua për një mori çështjesh që kanë të bëjnë me relacionet në mes Kosovës dhe Selisë së Shenjtë, të cilat gjithmonë kanë pasur kontinuitet.
Duke evokuar historinë e këtyre relacioneve, kryetari Veseli theksoi se shqiptarët janë populli i vetëm në Ballkan që kanë mbajtur gjallë krishterimin katolik, edhe përkundër vështirësive të mëdha dhe se në momente të vështira për popullin tonë Selia e Shenjtë ka mbështetur Kosovën, sidomos në vitet e ’90-ta nën drejtimin e Papa Gjon Palit të Dytë.

Nga ana e tij delegati apostolik i Vatikanit për Republikën e Kosovës z.Janusz theksoi se Selia e Shenjtë e njeh realitetin e ri në Kosovë dhe mbështetë zhvillimet pozitive në vendin tonë.

Në këtë kontekst ai shtoi se ne i përcjellim zhvillimet në Kosovës, e cila ka një potencial të madh zhvillimi me faktin se ka një popullatë të re dhe qendrimi i saj në vend është domosdoshmëri për të ecur përpara në zhvillimin ekonomik e social të Kosovës .

Në takim u bisedua edhe për çështjen e pranimit të Kosovës në UNESCO dhe me këtë rast kryetari Veseli kërkoi mbështetjen e Vatikanit për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm shumë të rëndësishëm ndërkombëtar.

Delagati papal nga ana e tij u shpreh se Selia e Shenjtë ka mirëpritur letrën e përbashkët të bashkësive fetare të Kosovës ku i kërkohet kësaj Selie mbështetja për këtë anëtarësim.

Më tutje ai shtoi se populli shqiptar ka një traditë të fuqishme të tolerancës, bashkëjetesës e bashkëpunimit mes religjioneve, e se mesazhi i kësaj tradite është i njejtë me mesazhin qëndror që synon të përqoj sot në botë edhe vetë Kisha Katolike nën drejtimin e Papa Françeskut.

Takimi i sotëm i kryetarit Veseli me delegatin papal është i pari i këtij niveli që ka pasur Kuvendi i Kosovës me Selinë e Shenjtë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/janusz-vatikani-e-njeh-realitetin-e-ri-te-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala