Janjevasit bartin ujë për pije me kuaj e traktorë

Autori:Avdyl Pajaziti

Më shumë se 15 vjet vuajtje nga telashi i njëjtë, banorët e Janjevës së pjesës së lartë lindore të qytezës ende po bartin ujë me kuaj.

Që prej pasluftës janjevasit kanë probleme në furnizim me ujë dhe në mungesë të ujit të pijshëm banorët po detyrohen që si mjet transporti ende ta përdorin kalin, e dikush edhe traktorin. Te rruga e Bukovicës në një lartësi të madhe mbidetare jetojnë rreth 50 familje, përfshirë edhe nga komuniteti kroat, dhe që të gjithë ujin e mbushin në kroje të qytezës dhe më pas bidonët i transportojnë në shtëpi me kuaj e traktorë.

Madje ka pasur edhe raste kur banorët janë detyruar të blejnë një kalë për ta përdorur si transportues, mirëpo ata që nuk i kanë këto dy forma të transportit shpesh edhe e huazojnë kalin e Hajdin Gajtanit. Ky 69-vjeçar është një bartës i përditshëm i ujit me kalin e tij, por ankohet se është sëmurë, se po i dridhen duart nga bartja e shpeshtë e ujit dhe se ka nisur ta mundojë kjo punë.

“Një ditë ose dy ditë vjen, a tri javë s’vjen uji. Herë e lshojnë ni orë, herë gjys ore, kurse verës ujë s’ka asnjëherë. Unë jam sëmurë, duart po më dridhen, kurse jam edhe i operuar dhe po më mundon shumë kjo punë”, nis muhabetin me ankesa të shumta plaku që po prek 7 dekada jetë dhe që nuk mban mend të jetë rehatuar me ujë ndonjëherë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/janjevasit-bartin-uje-per-pije-me-kuaj-e-traktore/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala