Janë të mundshme atentate të tjera nga ISIS në Evropë

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maizière, ka vlerësuar se pas tragjedisë së Parisit është e mundur që edhe atentate të tjera të kryhen në Evropë nga organizata “Shteti Islam” (ISIS). Këtë deklaratë ai e ka bërë një ditë pas anulimit të një ndeshje futbolli në vendin e tij, si masë sigurie.

“Sipas gjithë asaj që ne e dimë deri më tani, Parisi ka qenë rezultat ose një pjesë e një serie atentatesh të organizatës ‘Shteti Islam’ dhe nëse kjo do të konfirmohet, atëherë ai është atentati i parë i pilotuar nga ISIS-i në Evropën Perëndimore dhe me gjasë jo i fundit”, ka deklaruar ai para një kongresi policësh në Mainz (perëndim).

Për shumë sulme tashmë të ndërmarra në Evropën Perëndimore përgjegjësinë e kanë marrë persona që janë deklaruar si pjesë ose të lidhur me ISIS-in: pengmarrja në supermarketin “Hyper Cacher”, në Paris, në janar 2015, nga Amedy Coulibaly, pushkatimet në Kopenhagë një muaj më vonë apo edhe vrasja në muzeun hebraik në Bruksel, e kryer nga Mehdi Nemmouche në maj 2014.

Ministri gjerman ka deklaruar në mënyrë të përgjithshme se “kërcënimi për Gjermaninë dhe Evropën është i rëndë, vërtet i rëndë”.

ISIS-i ka marrë përgjegjësinë ose është akuzuar të ketë kryer shumë atentate në ditët dhe javët para ngjarjeve në kryeqytetin francez.

Fjala është për atentatet vetëvrasëse që kanë vrarë 44 persona në një lagje në jug të Bejrutit, për rrëzimin e avionit rus në Gadishullin e Sinait, me ç’rast janë vrarë 224 persona (më 31 tetor), dhe për të cilin Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe privilegjonin tezën e atentatit, dhe për atentatin vetëvrasës që ka lënë 102 të vrarë e mbi 500 të plagosur më 10 tetor në Ankara.

Ministri gjerman ka siguruar se vendi i tij është “në shënjestër” të ISIS-it dhe ka ritheksuar se nuk ka pasur tjetër zgjidhje pos të kërkojë anulimin e ndeshjes miqësore të futbollit ndërmjet Gjermanisë dhe Holandës të martën në mbrëmje, në Hanover, për shkak të frikës nga një atentat i mundshëm.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/jane-te-mundshme-atentate-te-tjera-nga-isis-ne-evrope/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala