Jahjaga, vetë e 11-ta në Amerikë

Autori:Avdyl Pajaziti

Delegacioni i Kosovës, i prirë nga presidentja Atifete Jahjaga në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, do të jetë një superdelegacion.

Më 26 shtator, kur edhe nis java e Asamblesë së Përgjithshme në New York, presidentja Jahjaga ka vendosur të jetë shumë dorëlëshuar me paranë publike. Ajo me veti do t’i marrë hiç më pak se 10 persona nga ekipi i saj.

E, përpos si shumë dorëlëshuar, burime të afërta me organizimin e këtij udhëtimi të delegacionit kosovar, këtë vendim të Jahjagës po e shohin edhe si të pakuptimtë.

Telegrafi mëson se kjo do të jetë njëra prej vizitave zyrtare më të kushtueshme për shtetin dhe se të gjithë janë duke u çuditur me një numër kaq të madh të njerëzve që Jahjaga ka zgjedhur ta shoqërojnë nga ekipi i saj.

“Presidentja si duket ka vendosur që ta qeras stafin e saj me një shëtitje disaditore në New York, përndryshe është i pakuptimtë një numër kaq i madh i këshilltarëve dhe stafit të saj, si pjesë e delegacionit të përbashkët qeveritar”, thotë ky burim për Telegrafin.

Përveç Jahjagës dhe 10 shoqëruesve të saj, për në New York pritet të udhëtojnë edhe kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi.

Ndërkaq, gjatë sesionit, atyre pritet t’iu bashkohet edhe ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni.

“Kjo përveç që është shumë e kushtueshme për buxhetin e Kosovës, është edhe jashtë çdo logjike institucionale të merren 10 persona si shoqërues jashtë vendit. Nuk po shkojnë në pushime vjeshtore ata, por në Sesionin Vjeshtor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”, thotë ai.

Ndryshe, siç mëson Telegrafi, gjatë sesionit vjeshtor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Manhattan, ku zakonisht edhe vendosen delegacionet e shteteve, hotelet i ngrisin shumë çmimet dhe një dhomë kushton mbi 1 mijë dollarë vetëm për një natë. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/jahjaga-vete-e-11-ta-ne-amerike/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala