Jahjaga sfidon Thaçin për postin e presidentit

Autori:Avdyl Pajaziti

Atifete Jahjaga mund të marrë edhe një mandat tjetër të kryesimit të Presidencës së Republikës së Kosovës.

Pavarësisht se kanë mbetur edhe gjashtë muaj nga koha kur Kosova duhet ta zgjedhë presidentin e ri të shtetit, gazeta “Zëri” thotë të ketë marrë vesh se tek faktori ndërkombëtar ekziston disponim i mirë që Atifete Jahjagës t’i besohet edhe një mandat tjetër.

“Atifete Jahjaga vazhdon të ketë një mbështetje të fuqishme të ndërkombëtarëve. Ata janë të interesuar që Jahjaga të qëndrojë edhe për një mandat tjetër në krye të shtetit”, ka thënë burimi ndërkombëtar i gazetës “Zëri” nga vendet e Quint-it.

Sipas tyre, Jahjaga ka përfaqësuar pozitivisht Kosovën ndërkombëtarisht, është pritur nga instanca me nderimet më të larta.

“Pritjet që i janë bërë presidentes së Kosovës kohëve të fundit, e posaçërisht nga mbretëresha e Britanisë së Madhe Elizabeth II, e cila përveç kancelares Merkel personalisht nuk ka takuar asnjë president të Evropës, tregon qartë për imazhin e saj jashtë vendit”, ka thënë burimi ndërkombëtar për “Zërin”.

Por në anën tjetër, sipas “Zërit” edhe pse faktori ndërkombëtar ka dhënë sinjale për mbështetjen e Jahjagës, partitë politike në vend nuk kanë asnjë vullnet që ta përkrahin kandidaturën e saj eventuale.

Lutfi Haziri, nga LDK-ja, ka kujtuar marrëveshjen që kanë arritur partnerët e koalicionit, e cila, sic ka thënë ai, është realizuar në Zyrën e presidentes Jahjaga dhe me ndërmjetësimin e saj, ku parashihet që në vitin 2016 në krye të shtetit të jetë Hashim Thaçi.

“Ne nuk mund të flasim me paragjykim nëse ajo sërish do të jetë kandidate dhe se ajo duhet ta kryejë mandatin e saj, por duhet të kemi parasysh faktin se LDK-ja dhe PDK-ja kanë një marrëveshje politike, e cila është realizuar në Zyrën e presidentes Jahjaga në prani të saj dhe me ndërmjetësim të saj”, ka thënë Haziri.

Ndërsaq, zyrtarë nga PDK-ja nuk kanë dashur të komentojnë çfarëdo kandidature eventuale të Jahjagës edhe për një mandat të ri.

Hajredin Kuçi ka thënë se nuk komenton spekulimet rreth kandidaturave të ardhshme për president. /Zëri

– See more at: http://lajmi.net/jahjaga-sfidon-thacin-per-postin-e-presidentit/#sthash.41Jm5Wg4.dpuf

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/jahjaga-sfidon-thacin-per-postin-e-presidentit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala