Jahjaga sfidohet me ligjet e miratuara në seancën e bufesë

Autori:Avdyl Pajaziti

Kuvendi do ta sfidojë të mërkurën presidenten Atifete Jahjaga, shkruan sot Koha Ditore.
Do t’ia dërgojë për shpallje dy ligje të miratuara në mbledhjen e zhvilluar midis 23 e 24 tetorit, e në të cilën nuk u lejuan të marrin pjesë deputetë të opozitës.

“Nesër do të dërgohen për shpallje të Presidentja”, ka konfirmuar për gazetën sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi.

Seanca e nisur pasditen e së premtes, ishte përmbyllur në orët e para të së shtunës. Ishin bërë përpjekje që të zhvillohej në sallën qendrore të Kuvendit, por në dy tentativa deputetët opozitarë patën aktivizuar bombola gazi lotsjellës, në përpjekje për ta bllokuar punën. Në të dytën, madje, në drejtim të kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe Kabinetit Qeveritar, ishin hedhur edhe shishe të mbushura me ujë. Kjo, pasi, me vendim të Kryesisë, ishte rrethuar me kordonë të policisë pjesa ballore e sallës ku ndodhen vendet e rezervuara për drejtuesin e Kuvendit dhe për qeveritarët.

Deputetët e subjekteve në pushtet e kishin gjetur zgjidhjen pas mesnate. E kishin improvizuar në sallë pune bufenë që ndodhet në katin më të lartë të godinës së Kuvendit, dhe kishin përmbyllur seancën aty. Deputetët opozitarë nuk ishin ftuar fare. Madje, ishin penguar nga pjesëtarë të sigurimit, edhe kur kishin provuar të ngjiteshin lart, pasi haberin për këtë mbledhje e kishin kuptuar nga mediat.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/jahjaga-sfidohet-me-ligjet-e-miratuara-ne-seancen-e-bufese/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala