Jahjaga priti ambasadorin gjerman Ernst Reichel

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka takuar të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin, Ernst Reichel, me të cilin ka diskutuar për gjendjen politike në vend dhe agjendën evropiane të Kosovës.
Jahjaga e ka njoftuar ambasadorin Reichel me qëndrimin e saj rreth zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës duke e quajtur dhunën e ushtruar nga disa deputetë të opozitës në Kuvend si të papranueshme dhe sjellje që bie ndesh me normat e një demokracie parlamentare. Ajo ka theksuar se ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të kontribuojnë në shtensionimin e gjendjes në Kuvend dhe në respektimin e procesit demokratik.
Presidentja po ashtu ka theksuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për agjendën evropiane e cila pritet të konkretizohet me nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim deri në fund të vitit dhe përmbylljen e dialogut për liberalizim të vizave, si dy hapa të parë në proceset integruese të Republikës së Kosovës.
Jahjaga ka falënderuar Gjermaninë dhe shtetet tjera partnere të Kosovës që po mbështesin anëtarësimin e Republikës së Kosovës në UNESCO dhe organizma tjerë ndërkombëtar, thuhet në komunikatën pas takimit.