Jahjaga nuk komenton peticionin e opozitës, pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Autori:Avdyl Pajaziti

Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën mblodhën mbi 200 mijë nënshkrime në gjithë vendin në kundërshtim të Asociacionit dhe Demarkacionit me Malin e Zi. Presidentja Atiftete Jahjaga ishte adresa e parë e tyre, duke e vlerësuar si përfaqësuese e unitetit të popullit.
Edhe pse peticionin i është dorëzuar asaj më 23 nëntor ajo nuk u ka dhënë përgjigje zyrtare se çka do të ndërmarr pas këtij akti.

Por në një përgjigje për Tribuna Channel, zyra për Informim e Presidentes ka thënë se ka vendosur që të pres vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Presidentja edhe para se ta pranojë zyrtarisht peticionin nga përfaqësuesit e opozitës ka vepruar në bazë të kompetencave të saj kushtetuese, ka adresuar shqetësimet e qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke e dërguar për interpretim përputhshmërinë e parimeve të asociacionit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës në organizmin më të lartë në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen dërguar televizionit.

Kurse opozita po pret që të marrë përgjigje nga presidentja, ka thënë Muharrem Nitaj, anëtar i kryesisë së AAK-së. Por nëse një përgjigje e tillë do të vonohet atëherë do të shqyrtohet mundësia që peticion të dërgohet në ndonjë institucion tjetër.

Opozita nuk ka përcaktuar ndonjë afat se edhe sa do ta pres përgjigjen e presidentes.

“Ne ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga ana e presidentes dhe kërkojmë që urgjentisht ta shqyrtojë peticionin dhe të ndërmerren masat e nevojshme sipas kërkesave në atë peticion, pra që të anohen marrëveshjet e 25 gushtit me Serbinë dhe e 26 gushtit me Malin e Zi”, ka thënë Adonis Tahiri nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kurse zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, i ka vënë në dyshim nënshkrimet që janë mbledhur nga opozita. Por opozita shprehet e gatshme që të verifikohen të gjithë nënshkrimet, sepse janë të bindur se nuk ka falsifikime.

Opozita më 31 tetor kishte futur peticionin në Kuvend më gjithë kundërshtimin e sigurimit të Kuvendit. Bile, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pati përdorur edhe forcën dhe pati ofenduar pjesëtarët e sigurimit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/jahjaga-nuk-komenton-peticionin-e-opozites-pret-vendimin-e-gjykates-kushtetuese/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala