Jahjaga në hapje të javës së energjisë së qëndrueshme në Abu Dhabi

Autori:Avdyl Pajaziti

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga po merr pjesë në hapje të javës së energjisë së qëndrueshme në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Java e energjisë së qëndrueshme është një ngjarje, e cila mbledh liderët botërorë për të diskutuar sfidat dhe zgjidhjet për energji të qëndrueshme. Java e energjisë u mbajt nën patronatin e Princit të Kurorës të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan dhe aty morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban ki Moon, Presidentë, Kryeministra, Ministra dhe udhëheqës të shteteve të ndryshme.

Presidentja Jahjaga, në takim me princin e kurorës, Mohammed bin Zayed Al Nahyan, bisedoi për bashkëpunimin e Kosovës me Emiratet e Bashkuara Arabe në fushën e ekonomisë.

Ajo me këtë rast theksoi se Kosova tashmë ka infrastrukturën ligjore për tërheqjen e investimeve të huaja direkte. Për më shumë, presidentja tha se dy marrëveshje ndërkombëtare me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ligji për investime strategjike, do të ndihmojnë edhe më shumë në ndërtimin e partneritetit të qëndrueshëm midis vendeve tona.

Presidentja Jahjaga e falënderoi Princin për donacionin për ndërtimin e spitalit të fëmijëve në Prishtinë, ndërtimi i të cilit do të fillojë së shpejti.

Princi i Kurorës, Mohammed bin Zayed Al Nahyan, e falënderoi Jahjagwn për pjesëmarrje në hapjen e javës së energjisë së qëndrueshme në Abu Dhabi dhe theksoi se Emiratet e Bashkuara Arabe e konsiderojnë Republikën e Kosovës partner të rëndësishëm ekonomik.

Jahjaga, në suaza të këtij organizimi, gjithashtu u takua edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, presidentin e Islandës, Olafur Ragnar Grimsson, presidentin e Nigerisë, Mohammed Buhari, kryeministrin e Marokos, Abdelilah Benkirane dhe presidentin e Seychelles, James Michael.

Presidentja Jahjaga në takim me kryeministrin e Marokos dhe Presidentin e Seychelles diskutoi për mundësinë e bashkëpuni mit dhe kërkoi njohjen e Kosovës nga këto shtete. Ajo theksoi se njohja e Kosovës do të hapte perspektiva të reja të bashkëpunimit me këto vendeve./lajmi.net

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/jahjaga-ne-hapje-te-javes-se-energjise-se-qendrueshme-ne-abu-dhabi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala