Jahjaga: Më paragjykuan se isha femër

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, duke folur për punën e saj katërvjeçare në krye të shtetit, ka thënë se është paragjykuar si presidente femër.
Në debatin ‘FOL Hapur’, të organizuar nga Lëvizja Fol, presidentja ka thënë se këto paragjykime ka arrit t’i demantoj duke drejtuar institucionin Presidentit në bazë të kompetencave Kushtetuese dhe duke e mbajtur larg ndikimeve politike.
“Si presidente femër jam paragjykuar, por këto paragjykime i kemi demantuar me punën në institucionin e Presidentit të vendit. Kemi arritur ta mbajmë institucionin e Presidentit te pakorruptuar dhe te kujdesshëm në shpenzimin e parasë dhe larg ndikimeve politike”, ka thënë Jahjaga, raporton lajmi.net.
Por, sipas saj në gjendje të njëjtë nuk e ka gjetur zyrën e Presidentit në vitin 2011, kur edhe është emëruar në krye të shtetit. Ajo ka thënë se këtë institucion e ka gjetur të politizuar nga dy partitë në koalicion në atë kohë, PDK-së dhe LDK-së.
“Zyrën e Presidentit të vendit e kam gjetur të politizuar në vitin 2011, pasi posti i presidentit ka qenë pjesë e marrëveshjeve politike midis partive”, ka thënë Jahjaga.
Por, e pyetur si do duhet të zgjidhet presidenti i ardhshëm, ajo nuk ka dhënë ndonjë përgjigje, pasi sipas saj, se ç’farë sistemi do të zgjedh Kosova është një çështje që kërkon debat të gjerë.
Jahjaga nuk ka dashur të zbuloj planet personale pas prillit të vitit 2016, kur edhe i përfundon mandati si e para e vendit. Por, ajo ka thënë se kudo që të jetë, do vazhdoj të kontribuoj për vendin.