Jahjaga kërkon gjithpërfshirje në luftën kundër ekstremizmit

Autori:Zekirja Shabani

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nëpanelin e diskutimeve në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror, që u mbajt në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë ka thënë se ekstremizmi luftohet  duke u angazhuar në të gjithë sektorët, bashkë me të gjitha shtresat e shoqërisë.

Duke i diskutua për sfidat globale të sigurisë, ekstremizmin dhe radikalizmin si kërcënim për sigurinë, si dhe angazhimin e përbashkët në luftimin e këtyre dukurive, ajo ka ngritur nevojën e gjithëpërfshirjes në luftën kundër ekstremizmit dhe në garantimin e sigurisë globale.

“Pikësëpari, puna duhet të fillojë në shtëpi. Në vendet tona, ne duhet të zotohemi që ta forcojmë legjitimitetin e shtetit. Dhe legjitimiteti arrihet me performansë. Ne jo që duhet ta dyfishojmë, por edhe ta trefishojmë angazhimin tonë që t’i hapim rrugë inovimit dhe zhvillimit duke larguar pengesat strukturore dhe praktike të cilat i frikësojnë investuesit. Shteti duhet të jetë prezent. Institucionet shtetërore duhet të jenë të dukshme nëpërmes sigurimit të infrastrukturës, energjisë, burimeve të ujit, menaxhimit të mbeturinave, shëndetësisë, edukimit dhe, natyrisht, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë më tej Jahjaga.

Jahajaga ka thënë gjithashtu se është shteti ai që duhet të udhëheqë reformat, të jetë proaktiv, dhe në secilin proces të vendimmarrjes duhet të ftojë sektorin privat, me qëllim të sigurimit që kjo do ta favorizojë iniciativën private dhe nuk do ta limitojë atë.

“Shteti po ashtu duhet të jetë llogaridhënës ndaj qytetarëve dhe t’i lejojë ata që të marrin pjesë ne këtë transformim. Qytetarët duhet të jenë pjesë e këtij aksioni. Ne kemi nevojë për pronësi. Dhe të gjitha këto arritje do të ndihmojnë në forcimin e ndjenjës aq të nevojshme të sigurisë, e cila është bazë për secilin lloj të zhvillimit”, ka thënë ajo.

“Ne më së miri do ta luftojmë ekstremizmin duke u angazhuar në të gjithë sektorët, bashkë me të gjitha shtresat e shoqërisë sonë, duke promovuar përfshirjen. Përfshirje në qeverisje dhe përfshirje në zhvillim. Mundësitë duhet të jenë të barabarta për secilin. Asnjëri nuk duhet të lihet anash, sepse ndarjet dhe përjashtimet janë çerdhe e rritës për ekstremistë. Ata shfrytëzojnë dallimet dhe vuajtjet”, ka shtuar më pas Jahjaga.

Jahjaga ka thënë se “nuk duhet t’i lejojmë ekstremistët, forcat e errëta të terrorit, që ta marrin peng vizionin e tyre të përparimit. Vetëm në këtë mënyrë ne mund t’i fuqizojmë individët, liderët fetarë që t’i shmangin dhe të mos i lejojnë djemtë dhe vajzat e reja që t’u bashkohen kauzave terroriste”.

“Ngjashëm, edhe në nivel ndërkombëtar, ne kemi nevojë për më shumë dialog dhe më shumë përfshirje; dhe kjo më sjell deri te pika e dytë. Kufijtë tanë nuk janë më gardhe të sigurta. Ne jemi të rrezikuar nga kërcënimet e njëjta, qofshin ato nga terrorizmi i brendshëm apo luftëtarët e lirisë, të joshur nga ISIS-i me ideologji të ndryshuara apo mjete financiare. Bie mbi vendet sikurse vendet tona, të cilat jetojnë në multikulturalizëm dhe multietnicitet, që t’i kundërshtojnë këto arsye dhe i takon liderëve të moderuar fetarë që t’u heqin interpretimet false të religjionit nëpërmes të cilave ata mundohen ta arsyetojnë dhunën. Ne duhet fuqimisht ta refuzojmë atë”, ka thënë Jahjaga.

Ajo ka shprehur bindjen se duhet të demonstruar vendosmëri që të largohet me rrënjë ekstremizmi, duke qëndruar bashkë dhe duke ndihmuar njëri-tjetrin nëpërmes diplomacisë dhe bashkëpunimit në siguri.

“Dhe, e treta, ne duhet t’i bëjmë vend secilit në tavolinë. E kam parë në shoqërinë tonë, e cila po kalon një transformim madhor nga lufta në paqe, nga represioni në demokraci dhe nga ekonomia e kontrolluar në kapitalizëm, se sa i vështirë është ndryshimi. Sa shumë ka nevojë për durim dhe adaptim. Por, një gjë e cila na ka ndihmuar që me sukses t’i tejkalojmë këto ndryshime, është përfshirja e gjithësecilit. Ofrimi i një karrigeje në tavolinë. Dhe me këtë po ashtu nënkuptoj edhe gratë, të cilat janë boshti i secilës shoqëri dhe një aset i vlefshëm për çrrënjosjen e ekstremizmit dhe radikalizmit”, ka thënë ajo në fjalën e saj në këtë Forum.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/jahjaga-kerkon-gjithperfshirje-ne-luften-kunder-ekstremizmit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala