Jahjaga kërkon drejtësi për viktimat e dhunës seksuale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka pritur në takim disa prej ambasadorëve të akredituar në Prishtinë, me të cilët diskutoi rreth aktiviteteve të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës.
Siç njoftohet, presidentja Jahjaga ka theksuar se prioritet i punës së Këshillit është përmbushja e të drejtave të garantuara me ligj për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, qasja në drejtësi, qasja në shërbimet shëndetësore, fuqizimi ekonomik si dhe ndërgjegjësimi shoqëror dhe institucional për këtë krim të luftës.
“Presidentja Jahjaga vlerësoi mbështetjen e qeverive të vendeve përkatëse për punën e këtij Këshilli dhe për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe theksoi se duhet angazhim edhe më i madh i të gjithë akterëve për njohjen ndërkombëtare të këtij krimi të kryer mbi popullatën civile të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Po sipas njoftimit, ambasadorët shprehën gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen për punën e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës i cili ka për synim rehabilitimin, riintegrimin dhe risocializimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.