Jahjaga kërkoi angazhim për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Autori:Avdyl Pajaziti

Presidentja Atifete Jahjaga është takuar sot drejtorin rajonal të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për Evropë dhe Azi Qendrore, Laurent Corbaz.

Jahjaga e ka falënderuar Cozbrah për ndihmën që Kryqi i Kuq i ka dhënë institucioneve të Kosovës “dhe në veçanti për ndihmën që i ka dhënë Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe për rolin ndërmjetësues që ka luajtur në takimet e grupeve të përbashkëta punuese të Kosovës dhe të Serbisë, për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”, njofton Presidenca, raporton lajmi.net.

Presidentja ka theksuar “rëndësinë që ka trysnia e institucioneve ndërkombëtare mbi institucionet e Republikës së Serbisë, që ata të ndajnë me institucionet e Republikës së Kosovës informacionet që kanë për vendndodhjen e trupave të të zhdukurve”.

Jahjaga konfirmoi angazhimin e institucioneve kompetente për ndriçimin e fatit të të gjithë personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-’99 në Kosovë, pa dallim të përkatësisë etnike, gjinore apo fetare.

Ajo theksoi se “fati i 1 mijë e 650 qytetarëve të Kosovës ende të zhdukur, mbetet njëra ndër plagët më të rënda të luftës, prandaj edhe i ftoi të gjithë miqtë ndërkombëtarë që të shtojnë angazhimin për zgjidhjen e kësaj çështjeje tepër të ndjeshme”.

Ndërkaq, drejtori rajonal i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për Evropë dhe Azi Qendrore, Laurent Corbaz e njoftoi Presidenten Jahjaga për aktivitetet e këtij komiteti në Kosovë, me theks në rolin që ka për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/jahjaga-kerkoi-angazhim-per-zbardhjen-e-fatit-te-te-pagjeturve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala