Jahjaga flet për rolin e saj si presidente në Samitit Global të Gruas

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 25 vjetorit të Samitit Global të Gruas që u mbajt në Washington DC.
Në fjalimin e saj Jahjga foli për barazinë gjinore, që sipas saj është shumë e rënesishme për avancimin e shoqërisë, duke përmendur rolin që kanë luajtur gratë në Kosovë në periudhat e ndryshme nëpër të cilat ka kaluar vendi.
“Presidentja Jahjaga theksoi domosdoshmërinë për të vazhduar përpjekjet e përbashkëta me qëllim të garantimit të të drejtave të barabarta të grave si dhe përfshirjen e plotë të tyre në të gjitha fushat e jetës”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidentes së Kosovës
Pas fjalës solemne , presidentja Jahjaga kishte një bashkëbisedim me gazetaren Eleanor Cliff nga Daily Beast dhe gazetaren Maureen Bunyan të ABC7/wJLA-TV, me të cilat bisedoi për periudhën e rezistencës paqësore të shoqërisë kosovare, për periudhën e luftës si dhe për fazat e tjera të shtetformimit të Republikës së Kosovës. Ajo gjithashtu foli edhe për rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtarë në përballje me sfidat globale siç është terrorizmi dhe radikalizmi.
Presidentja Jahjaga foli edhe për rolin e saj si Presidentja e parë grua në Kosovë dhe në të gjithë rajonin, për rëndësinë e përfshirjes së grave në vendimmarrje dhe për ndryshimin që ato mund të sjellin në shoqëritë e tyre duke mbështetur njëra-tjetrën.