Jahjaga deputetëve hiqni dorë nga dhuna

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka dënuar aktet e dhunshme të ndodhura mbrëmë në seancën e Kuvendit dhe jashtë saj.
Në një deklaratë të dërguar për media, Jahjaga është shprehur e shqetësuar me atë se çfarë ka ndodhur, duke thënë se skenat e tilla janë të papranueshme.
Ajo i ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që të heqin dorë nga dhuna, duke shtuar se veprimet e tilla po rrezikojnë të ardhmen e vendit.
“Jam thellësisht e shqetësuar dhe e shpreh keqardhjen time të thellë për zhvillimet në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë tij. Skenat dhe veprimet e dhunshme në Kuvend janë të dënueshme dhe të papranueshme, mjetet e përdorura plotësisht në kundërshtim me parimet bazike të një rendi demokratik dhe një demokracie parlamentare”.
“Apeloj te deputetët e opozitës të heqin dorë nga dhuna. Aspiratat e vendit tonë po rrezikohen thellësisht nga këto ngjarje dhe këto veprime po e dëmtojnë demokracinë që e kemi ndërtuar me mund. Apeloj te i tërë spektri politik që t’i kthehen normalitetit, që institucionet të vazhdojnë punën sepse kemi shumë sfida para vetes”
“Qytetarët që na kanë zgjedhur presin nga ne të jemi shembull i promovimit të sundimit të ligjit, respektim të procesit demokratik. Dialogu është gurthemel i demokracisë. Aty ku ka dialog, ka zgjidhje”