Jahjaga apo Mustafa në New York ?

Autori:Avdyl Pajaziti

Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi janë përplasur të enjten mbrëma rreth asaj se kush duhet t’i prijë delegacionit të Kosovës në Sesionin e 70’të të Asamblesë së OKB’së që mbahet në vjeshtën e këtij viti. Aty delegacionet shtetërore, ndër të tjera kanë rastin të shtrëngojnë duart edhe me Presidentin e SHBA’së, Barack Obama.
Zyrtarë të lartë kosovarë janë përplasur të enjten mbrëma rreth përfaqësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara në vjeshtë të këtij viti – se a duhet të shkojë atje Atifete Jahjaga apo Isa Mustafa?

Edhe pse sesioni i 70’të i Asamblesë së Përgjithshme është ende larg, Kosova, sipas protokollit, duhet t’i dërgojë atje emrat që tani.

Të enjten, Thaçi ka thënë se ishte takuar pikërisht për këtë temë me Presidenten Jahjaga, por kjo e fundit ka lëshuar një njoftim me të cilën kishte thënë se ishte biseduar për Gjykatën Speciale.

Dhe, menjëherë kishte ardhur reagimi i Thaçit duke përgënjeshtruar Jahjagën sa i përket temës së diskutuar në takim, ku ishte prezent edhe Kryeministri Isa Mustafa.

“Takimi nuk ka pasur fare të bëjë me Gjykatën Speciale por ka qenë temë diskutimi vetëm përfaqësimi i Kosovës në Asamblenë e OKB-së, pas insistimit të presidentes që ajo ta udhëheq delegacionin kosovar, si dhe ndryshimet në Ligjin për Beneficionet e Ish Zyrtarëve të Lartë Shtetërorë pas përfundimit të mandatit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ndërkohë, burime të Express, kanë treguar se Jahjaga po dëshiron të shfrytëzojë edhe këtë mundësi për të përfaqësuar Kosovën në OKB derisa Qeveria po insiston që delegacionin ta udhëheqë Isa Mustafa.

Por, zyrtarë të Presidencës kanë insistuar se Presidentja me Kushtetutë përfaqëson politikën e jashtme dhe rrjedhimisht asaj i takon të jetë në krye të delegacionit të Kosovës në OKB.

Zyrtarisht, as në Presidencë dhe as në Zyrën e Thaçit nuk kanë dashur të flasin për këtë përplasje. Isa Mustafa, ndërkaq, nuk ka thënë ndonjë fjalë rreth kësaj çështjeje.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/jahjaga-apo-mustafa-ne-new-york/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala