Jabllanoviq s’shkon në Gjakovë, lënda kalon në Prokurorinë Speciale

Para Prokurorisë Themelore në Gjakovë sot u panë disa përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët patën ngritur padi ndaj ish-ministrit Aleksandar Jabllanoviq për deklaratat e tij çnjerëzore në janar të këtij viti, kur nënat gjakovare i pati quajtur egërsira.
Por, megjithëse ai sot do të duhej të paraqitej në Prokurorinë e Gjakovës, Jabllanoviq sot nuk u pa në këtë vend.
Më herët Jabllanoviq pati deklaruar se “Ne, që nuk jemi fajtorë për asgjë, nuk kemi asnjë arsye ta dëshmojmë pafajësinë tonë, e posaçërisht para Prokurorisë në Gjakovë”, rikujton TV Syri.
Jabllanoviq pati thënë se ngritja e një padie ndaj tij është presion që iu bëhet liderëve serbë në përgjithësi.
Përndryshe, Jabllanoviq akuzohet për veprën penale nxitje të urrejtjes nacionale, racore, fetare dhe tolerancës.
E ish-ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës i është dërguar ftesa që më 22 maj të paraqitet në Gjykatën e Gjakovës. Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se kanë dalë ta presin përfaqësuesin e ish-ministrit.
Nga ana tjetër, kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Shpresa Bakija, ka thënë se lëndën e Jabllanoviqit e ka dërguar në Prokurorinë Special në Prishtinë, për shkak se ka të bëjë me një ish-ministër.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se Jabllanoviq duhet të gjykohet dhe po kështu edhe të dënohet për deklaratat e tij fyese që pati bërë më 6 janar.