Ja si u vranë, helmuan, e vdiqën në burg kundërshtarët e Putinit

Autori:Avdyl Pajaziti

Vrasja e të premtes mbrëma e njërit prej opozitarëve më aktivë të Rusisë, ish-zëvendëskryeministrit Boris Nemzov, ka shkaktuar reagime e solidaritet të madh ndërkombëtar, përveç indinjatës e dhimbjes që ka sjellë për shumë nga rusët që e donin dhe e ndiqnin atë në idetë e këmbënguljen që ai dëshmonte. E kishte kritikuar ashpër Kremlinin dhe kreun e tij, Vladimir Putin, dhe duket se intervista e tij e fundit 45-minutëshe, e dhënë për një kanal radiofonik moskovit, ku ai flet gjithë pasion, duf e këmbëngulje, duke ia marrë shpesh fjalën moderatorit të emisionit, të jep përshtypjen se ai po e ndiente se do të ndahej nga kjo botë.

Një listë opozitarësh apo kritikësh të Kremlinit të vdekur në rrethana të dhunshme e pjesërisht misterioze, para vrasjes makabre të 55-vjeçarit Nemzov, na e sjell edhe një herë në kujtesë rrezikun me të cilin duhet të përballen opozitarët në Rusinë postsovjetike, edhe rreth 25 vjet pas rënies së ish-Bashkimit Sovjetik.

Boris Nemzov e kishte kritikuar ashpër Kremlinin dhe kreun e tij, Vladimir Putin, dhe duket se intervista e tij e fundit 45-minutëshe, e dhënë për një kanal radiofonik moskovit, ku ai flet gjithë pasion, duf e këmbëngulje, duke ia marrë shpesh fjalën moderatorit të emisionit, të jep përshtypjen se ai po e ndiente se do të ndahej nga kjo botë

Edhe ai po e ndan fatin e tij të trishtë, me ish-kritikët e Putinit, vrasjet e të cilëve më së shumti kanë mbetur pa autor. Ai është pasardhës i veprës së Ana Politkovskajës, Natalia Estemirovas, apo dhe Boris Berezovskit. Ata të gjithë besohet se vdiqën nga dhuna e verbër dhe hakmarrëse me prapavijë politike

***

2006, vritet gazetarja Ana Politkovskaja

i dyti

 

Vdekja e Ana Politkovskajës në vitin 2006 pati shkaktuar një valë të gjerë reagimesh ndërkombëtare. Gazetarja dhe kritikja e Kremlinit u qëllua gjithashtu për vdekje asokohe në Moskë. Ajo shkruante për gazetën kritike ndaj Kremlinit, “Novaja Gazeta”, duke raportuar më së shumti për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut që forcat shtetërore ruse e ato çeçene të sigurisë, kishin kryer në terren. Në vitin 2014, një gjykatë moskovite dënoi pesë burra me origjinë çeçene me dënime të përjetshme, pasi u gjetën fajtorë për vrasjen e saj. E megjithatë, urdhëruesit e vrasjes së saj, deri më sot akoma kanë mbetur pa emër.

 

2006, helmohet ish-agjenti sekret, Aleksander Litvinenko

i trieti

Ish-agjenti sekret rus, Aleksander Litvinenko vdiq në nëntor 2006 në një spital londinez. Pak para se të vdiste, ai u helmua me një helm tepër të fortë e të veçantë ndërsa pinte një filxhan çaj në një hotel. Në gjakun e tij u gjetën mbetje të lëndës radioaktive “Polonium 210”. Ndërsa jepte shpirt, ai fajësoi për vdekjen Presidentin aktual rus, Vladimir Putin. Kremlini i hodhi poshtë akuzat. Litvinenko i kishte kthyer krahët Kremlinit, kishte emigruar drejt Britanisë së Madhe dhe më pas kishte punuar edhe për shërbimin e fshehtë britanik, MI6. Por ai ishte gjithashtu një kritik i fortë i Putinit.

 

2009, vritet aktivistja Natalia Estemirova

i katerti

Aktivistja e të drejtave të njeriut, Natalia Estemirova në korrik 2009 u gjet e vrarë në Kaukaz, rajonin rus të kapluar nga konfliktet. Bashkëpunëtorja e organizatës “Memorial”, shihej si luftëtare e të drejtave të njeriut në Kaukazin Verior. Me raportet e saj kritike mbi zhdukjen e civilëve në Çeçeni, ajo kishte tërhequr shpesh vëmendjen dhe skërmitjen e dhëmbëve të pushtetmbajtësve në Kremlin.

 

2009, vdes në burg avokati Sergej Magnicki

i pesti

Avokati i sëmurë rëndë, Sergej Magnicki, vdiq në nëntor 2009 plot vuajtje në qelinë ku po kryente dënimin, pa i ardhur në ndihmë asnjë mjek. Ai ishte rrasur në burg me akuzën për evazion fiskal, pasi kishte akuzuar ashpërsisht autoritetet pushtetmbajtëse për korrupsion. Aktivistët e të drejtave të njeriut, i akuzojnë autoritetet ruse se mbi të ishte ushtruar edhe dhunë verbale e tortura. Për vdekjen e tij deri më tani akoma nuk ka një fajtor. Në vitin 2013, një gjykatë e shpalli Magnickin fajtor për evazion fiskal dhe mashtrim financiar.

 

2013, vdes oligarku Boris Berezovski

i gjashtu

Oligarku rus dhe ish-multimilioneri, Boris Berezovski u gjend në mars 2013 i vdekur në shtëpinë e tij në Ascot, pranë Londrës. Ai njihej si një kundërshtar i betuar i shefit të Kremlinit, Vladimir Putin dhe mbështeste fort financiarisht opozitën ruse. Një raport i pavarur mjekësor pas vdekjes së tij dilte në përfundimin se ai kishte vdekur nga mbytja në fyt. Në mars 2014, një gjykatës tha se nuk mund të përcaktohej qartë nëse atij ia kishin marrë jetën, apo kishte kryer vetëvrasje.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ja-si-u-vrane-helmuan-e-vdiqen-ne-burg-kundershtaret-e-putinit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala