Ja sa sportist kosovarë do të marrin pjesë në Olimpiadë

Autori:Avdyl Pajaziti

Lojërat Olimpike evropiane po afrojnë dhe është koha për t’i bërë llogaritë. Pas dy muajsh, për herë të parë në histori do të mbahet ky eveniment, në Baku, ndërsa aty do të marrin pjesë edhe sportistët kosovarë.

Besim Hasani, kryetari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KOK), ka bere te ditur se pjesëmarrjen për “Baku 2015” deri tash e kanë siguruar 14 sportistë, ndërsa pret që deri në fillimin e këtij kompeticioni, kontingjenti i Kosovës t’i përmbajë rreth 25 sportistë.

“Për momentin, kualifikimin e ka siguruar një shenjëtare, një karateist dhe katër xhudistë. Gjithashtu, edhe tetë sportistë kanë marrë ftesa për të shkuar në Baku. Pra, për momentin janë 14 sportistë që sigurt do të marrin pjesë në Lojërat evropiane”, tregon Hasani për “Zërin”.

Ai shprehet optimist se rrugën e tyre do ta ndjekin edhe 9-10 sportistë të tjerë. “Ka edhe sportistë tjerë që mund ta sigurojnë pjesëmarrjen në ‘Baku 2015’ përmes kualifikimeve, por edhe me anë të ftesave. Pra, në fund, në Olimpiadë mund të marrim pjesë me 24-25 sportistë”, vazhdoi kreu i sportit kosovar.

Kjo do të jetë hera e parë që sportistët kosovarë do të marrin pjesë në një kompeticion aq të rëndësishëm si Lojërat Evropiane. Kjo iu mundësua sportistëve tanë falë pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, në dhjetor të vitit të kaluar.

Përpos këtij evenimenti, sportistët kosovarë, do ta kenë mundësinë të marrin pjesë edhe në Lojërat Olimpike, që do të mbahen në Rio de Janeiro të Brazilit, vitin e ardhshëm. Ndër sportistët që kanë gjasa të fitojmë medalje në “Baku 2015”, por edhe në “Rio 2016”, është Majlinda Kelmendi, kampione aktuale e botës në xhudo.

Hasani ndër të tjera ka njoftuar se shumë shpejt, pranimin ndërkombëtarisht do ta shijojnë edhe tri sporte tjera, Atletika, Volejbolli dhe Shenjëtaria, ndërsa futbolli duket se duhet të presë pak më gjatë. Me këtë rast, do të kompletohet ndërkombëtarizimi i sportit kosovar.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ja-sa-sportist-kosovare-do-te-marrin-pjese-ne-olimpiade/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala