Ja sa pritet të jetë rritja ekonomike për vitin 2015

Autori:Avdyl Pajaziti

As ky vit nuk pritet të ketë normë të lartë të rritjes ekonomike. Përkundër rritjes sa ishte vitin e kaluar me 0.9 për qind, këtë vit mund të ketë një normë mesatare nga 1.5 për qind deri në 2 për qind.

Kështu vlerëson për KosovaPress, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu.

Ndërsa përfaqësues të qeverisë së Kosovës, thanë për KosvaPress se për mandatin katër vjeçar parashohin të arrin mbi 4 për qind normën e rritjes ekonomike. Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), në parashikimet e tyre nuk kanë dhënë përqindjen se sa do të jetë norma ekonomike këtë vit.

Sokol Havolli, këshilltarë për ekonomi i kryeministrit Isa Mustafa tha për KosovaPress se këtë vit do të ketë normë më të shpejtë të rritjes ekonomike.

“Natyrisht nëse vitin e kaluar ka qenë norma prej 0.9 për qind, ka qenë si rezultat i rrethanave ekonomike që kanë mbizotëruar vitin e kaluar. Po synojmë që gjatë këtij mandati të paktën të kemi një normë mbi 4 për qind të rritjes mesatarisht për gjithë mandati. Por normal nxitës i rritjes ekonomike përveç projekteve infrastrukturore në të cilat është e involvuar qeveria synojmë që të jetë sektori privat pasi që e siguron rritjen më të qëndrueshme ekonomike”, tha Havolli.

Ndërsa, Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), tha për KosovaPress se kur ai ka deklaruar vitin e kaluar se Kosova nuk do të ketë normë më shumë se 1 për qind të rritjes ka marrë kritika të shumta. Ndërsa për këtë vit vlerëson se norma e rritjes mund të arrij maksimumin deri në 2 për qind.

“Kur kam thënë në të kaluarën që Kosova nuk ka rritje ekonomike aq sa është proklamuar kamë qenë në tapet të kritikave qoftë nga struktura politike por edhe nga pseudo-analistë . Po duhet të jemi të vetëdijshëm që vitin 2015 suksesin më të madh ekonomik do ta ketë ose do të arrijë nëse e ndalon të keqen dhe jo të bëjë përmirësim substancial. Me këto trende, me këtë konjuktur aktuale, rritja prej 1, 5 maksimum 2 për qind”, tha Gërxhaliu.

Ai ka pranuar se edhe norma prej 2 për qind nuk do të ketë ndonjë efekt pozitiv dhe që do të ndikoj në përmirësimin e stabilitetit social dhe zhvillim ekonomik.

“Është e vërtet që një rritje e tillë nuk mjafton nuk mund të jetë do të thotë një rritje e cila garanton stabilitet social dhe zhvillim ekonomik por duhet në fund të mësojmë që Kosovës i duhet rezultate të sakta statistikore nga të dhëna të sakta dhe jo rezultate të sakta nga të dhëna të gabuara”, tha Gërxhaliu.

Sipas të dhënave të BQK-së, thuhet se sa i përket vitit 2015, pritet që ekonomia e Kosovës të përshpejtojë ritmin e rritjes. Kjo rritje, sipas vlerësimeve të BQK-së, p ritet të gjenerohet nga kërkesa e brendshme, ndërsa neto eksportet parashihet të vazhdojnë të kenë kontribut negativ në rritjen e PBB-së.

“Konsumi, si komponentë kryesore e kërkesës së brendshme, pritet që edhe gjatë vitit 2015 të ketë kontributin kryesor në rritjen ekonomike. Investimet, për dallim nga viti i kaluar, pritet të karakterizohen me rritje të konsiderueshme të investimeve publike”, thuhet në raportin financiar të publikuar nga BQK.

Po ashtu, sipas këtyre të dhënave, zvogëlimi i normave të interesit në kredi si dhe lehtësimi I standardeve për aprovimin e kredive nga ana e bankave pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në nxitjen e investimeve të sektorit privat. Edhe Investimet e huaja direkte, të cilat deri në prill të vitit 2015 shënuan rritje të konsiderueshme, pritet të kontribuojnë në rritjen investimeve.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ja-sa-pritet-te-jete-rritja-ekonomike-per-vitin-2015/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala