Ja pse u rrëzua aeroplani i “Malaysian Airlines”

Aeroplani i fluturimit “MH17” i kompanisë “Malaysian Airlines” u rrëzua si pasojë e goditjes nga një raketë ruse model “9M38”, konfirmon Bordi Holandez i Sigurisë.
Në raportin zyrtar të publikuar sot thuhet se raketa goditi pjesën e përparme majtas, duke shkëputur pjesë nga trupi i avionit.
Ukraina dhe vendet perëndimore thonë se raketën e lëshuan nga toka separatistët pro-rusë, por Moska pretendon se aeroplani “Boeing 777” u qëllua nga territoret e kontrolluara nga forcat ukrainase.
Avioni me 298 udhëtarë që fluturonte nga Amsterdami në Kuala Lumpur u rrëzua më 17 korrik 2014 në rajonin e Donjetskut, zonë e kontrolluar nga forcat pro-ruse në kulmin e konfliktit mes trupave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Moska. Mes viktimave ishin 196 holandezë dhe 10 britanikë.