Ja për çfarë u dakorduan partitë opozitare

Autori:Gazeta Fjala

Në frymën e bashkëpunimit në mes tyre, tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe Nisma për Kosovën, kanë dalur të mërkurën me një deklaratë të përbashkët për media ku njoftojnë për dakordimin që si opozitë e bashkuar do të punojnë në ndaljen “e të gjitha dëmeve që I vijnë Kosovës nga koalicioni qeverisës.”

Në deklaratë thuhet se ky bllok opozitar do të intensifikojë aktivitetet për shpëtimin e republikës.

Ja teksti i plotë I deklaratës:

Duke e pasur parasysh rrënimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës, si territor, ekonomi e shoqëri, rrënim ky i udhëhequr me vetëdije të plotë nga Qeveria aktuale e Kosovës,

Duke i konsideruar negociatat pa parime me Serbinë në Bruksel si të padrejta dhe marrëveshjet e arritura atje (posaçërisht atë për themelimin e “Zajednicës”) si hapa të mëdhenj drejt bosnjëzimit të Kosovës, dhe rrjedhimisht, falimentimin politik e ekonomik të shtetit të Kosovës,

Duke e konsideruar marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi si heqje dorë nga një pjesë e territorit të Kosovës,

Të shqetësuar me procesin aktual politik i cili po e dërgon Kosovën pashmangshëm drejt thellimit të ndarjes së brendshme territoriale e etnike dhe konsolidimit të Serbisë brenda Kosovës, e në anën tjetër të marrëdhënies speciale e vasale të Kosovës me Serbinë,

Të brengosur me padrejtësitë e shumta që vijnë nga mungesa e sistemit të drejtësisë, si dhe nga drejtësia selektive e dirigjuar prej pushtetit, dhe me mos gatishmërnë e të fundit për t’i luftuar dukuritë negative dhe korrupsionin që po e rrënon perspektivën e qytetarëve tanë,

Të indinjuar me varfërimin, rritjen e papunësisë dhe gjendjen e rëndë ekonomike e sociale të shkaktuara nga politikat qeveritare, qofshin ato fiskale, tregtare, por edhe ato të sundimit të ligjit,

Të bindur se politikat qeveritare po e zhdukin potencialin për zhvillim ekonomik, industrial e rritje të punësimit, duke shkuar kështu ndesh me të drejtën e qytetarëve për mirëqenie e dinjitet,

Të vendosur që këtë rrënim dhe falimentim të shtetit si dhe këto marrëveshje të mos i pranojmë e as t’i lejojmë së zbatuari,

DEKLAROJMË

Që Lëvizja VETËVENDOSJE!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe NISMA për Kosovën,

DAKORDOHEN se

Do të veprojmë si OPOZITË E BASHKUAR në qëndrime dhe veprime si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit dhe në këtë ftojmë të bashkohemi të gjithë zërat opozitarë, për t’i ndalur të gjitha dëmet që i vijnë Kosovës nga ky koalicion qeverisës, qofshin ato politike apo ekonomike.

Do t’i rrisim dhe intensifikojmë aktivitetet opozitare për shpëtimin e Republikës.

Opozita e bashkuar është jashtëzakonisht e interesuar t’i filloj bisedimet me akterë të tjerë të shoqërisë ku si qëllim do të kishte krijimin e frontit të përbashkët politik.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ja-per-cfare-u-dakorduan-partite-opozitare/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala