Ja një prej punëve më të mira në botë…

Një sipërmarrës zviceran ka krijuar një kompani që ofron atë çka shumë njerëz mund ta cilësojnë si punën e ëndrrave.
Kristian Mishler, themeluesi i ueb-faqes “HotelQuickly.com”, u ofron përdoruesve pazaret më të mira për hotele në rajonin e Azi-Paqësorit.
Ai e drejton kompaninë vetëm me një laptop, duke kaluar 250 ditë të vitit në udhëtim.
Zvicerani i nxit edhe 100 punonjësit e tij të bëjnë të njëjtën gjë: të punojnë ku dhe kur të duan, mjafton të jenë produktivë dhe të përmbushin objektivat e kërkuara.
“Nëse dikush është produktiv nga mesnata deri në 04:00 të mëngjesit, atëherë duhet lejuar të punojë në ato orë. Apo edhe nëse e realizon objektivin brenda tri ditësh, katër ditët e tjera të javës mund të rrijë pushim e të jetë i freskët për javën tjetër”,- shpjegon Mishler.
Kjo mënyrë të punuari ka sjellë rezultate pozitive, pasi kompania e themeluar në vitin 2012 ka ecur mirë duke arritur marrëveshje me disa investitorë të rëndësishëm aziatikë.