Ja nga cilat shtete varet anëtarësimi i Kosovës në UNESCO

Autori:Avdyl Pajaziti

Shteti më i ri evropian, Kosova, mori dritën jeshile nga Këshilli Ekzekutiv i UNESCO me 21.10.2015, për t’u shqyrtuar mundësia e anëtarësimit të saj në UNESCO. Në votimin e nesërm që pritet të mbahet në Paris Kosova duhet të marrë 130 vota pro, për të qenë anëtare me të drejta të plota.

Por sa është mundësia të ndodh kjo, kur dihet se Kosovën e kanë njohur 108 shtete, pasi 3 prej tyre e kanë kontestuar, Uganda, Nigeria dhe Sao Tome?! Bile Nigeria votoi kundër Kosovës edhe në Këshillin Ekzekutiv, ndërsa Uganda abstenoi.

Në politikë shpesh gjërat bëhen të menduara dhe mbase Kosova me aleatët e saj strategjik, SHBA dhe disa shtete të BE-së, kanë gjetur votat e 130 shteteve, përderisa e çuan çështjen deri në këtë pikë. Të njejtën gjë tani do mundohet edhe Serbia me aleatin Rus.

Sa u takon vendeve që botërisht janë kundër njohjes së Kosovës dhe ku pritet vota kundër në OKB janë plot 45 shtete: Angola Argjentina, Brazili, Kina, Kuba, Etiopia, Ekuadori, India, Meksika, Maroko, Namibia, Nigeria (që dëshmoi se nuk njeh Kosovën), Rusia, Spanja, Armenia, Belorusia, Bolivia, Bosnja, Kamboxha, Kongo, Qiproja, Gjeorgjia, Xhamajka, Kazakistani, Kirgistani, Laosi, Moldavia, Nikaragua, Filipinet, Romania, Ruanda, Serbia, Sejçelet, Singapuri, Slovakia, Afrika e Jugut, Shri Lanka, Siria, Taxhikistani, Turkmenistani, Uzbekistani, Uruguai, Venecuela, Vietnami, Greqia. Vendet me të zeza votuan kundër edhe në Këshillin Ekzekutiv të UNESCO.

Këtu mund të ketë një shpresë të vogël te Afrika e Jugut, Rumania dhe Greqia, pasi kjo e fundit ka premtuar që të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, por me siguri për në UNESCO Kisha Greke do ta  undërshtonte rëndë.

Andaj nga 195 vota, 45 do të quheshin të humbura, 108 i marrim si vota pro, ata që kanë njohur Kosovën de fakto dhe de jure (këtu duhet pasur kujdes me Japoninë, Korenë e Jugut, Malavi, Egjipti të cilët abstenuan në Këshillin e UNESCO edhe pse kanë njohur pavarësinë e Kosovës).

Pra nga 108 vende që do “votonin” pro Kosovës dhe 45 që do “votonin” kundër Kosovës, shtetet që janë mes njohjes dhe mosnjohjes janë 42 shtete. Këtu duhet të lobohet më së tepërmi, veçanërisht ndaj shteteve që kanë njoftuar njohjen e Kosovës në të ardhmen e afërt si Bahamasi, Bangladeshi, Sao Tome, Guinea Ekuatoriale, Eritrea, Kenia, Libani, Madagaskari, Mauritius, si dhe vendet që nuk janë shprehur me tone negative ndaj pavarësisë si Botcvana, Zimbabve, Zambia, Kameruni, Cape Verdi, Mongolia, Suriname, Saint Vincent, Uganda, Trinidad Tabaco, Paraguaji , Iraku dhe Mozambiku.

Edhe shtetet tjera të cilat nuk përmendet,20, mund të diskutohet deri në fund për mundësine e votës pro, pasi kanë qenë indiferent të pozicionohen në favor të Serbisë dhe Kosovës.

Serbisë i duhen edhe 21 vota tjera të sigurta, për të arritur në 61 vota kundër, ndërsa Kosovës i duhen edhe 22 vota pro. Andaj “përballja” duket e barabartë dhe do fitojë ai i cili i ka bërë më mirë matematikat më parë, por edhe nuk rresht së lobuari edhe çastet e fundit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ja-nga-cilat-shtete-varet-anetaresimi-i-kosoves-ne-unesco/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala