Ja kush janë ata që e këshillojnë Kadri Veselin

Ish- kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, i cili kohëve të fundit është marrë në vazhdimësi edhe me analiza të çështjeve ekonomike, Lekë Musa është emëruar si këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Blic, një burim i afërt me kryetarin e Kuvendit të Kosovës. “Pjesë e kabinetit të kryetarit të Kuvendit, është edhe Lekë Musa. Ai është emërëuar si këshilltarë për çështje ekonomike”, ka thënë ky burim.
Sipas këtij burimi, Lekë Musa ka një përgatitje të duhur akademike dhe ka përvojën e nevojshme për të qenë këshilltarë i kryetarit të Kuvendit.
Pos Musës, Veseli si këshilltarë të tij për çështje politike e ka emëruar edhe filozofin Blerim Latifi dhe ish- zëvendësministrin e Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli.
Megjithatë, në ueb faqen e Kuvendit të Kosovës, është e zbrazët hapësira se kush e përbën kabinetin e kryetarit të Kuvendit. Pra, as tre muaj pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, ende nuk janë bërë transparentë emrat dhe numri i këshilltarëve të kryetarit të legjislativit./ Gazeta Blic