Ja kush do të zëvendësoj Remin dhe Latën në Kuvend

Vendimi i Gjykatës së Apelit për mosndryshimin e vendimit të shkallës së parë, (përpos pjesës së kohës së kaluar në paraburgim e cila do t’iu llogaritet atyre) në procesin e quajtur “Grupi i Llapit” mund të ndryshoj përbërjen e Kuvendit të Kosovës.
Sipas këtij Vendimi dhe Ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, Latif Gashi – Lata me dënimin unik prej 6 vjet burgim dhe deputeti Rrustem Mustafa-Remi me dënimin unik prej 4 vjet burgim do të humbin mandatin e deputetit.
Në vend të tyre, sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror Zgjedhorë, pritet të japin betimin e deputetit ABDYL YMERI dhe BISLIM ZOGAJ të cilët renditen prapa deputetit të fundit të PDK-së, Hajdar Beqa. Në zgjedhjet e fundit Ymeri kishte fituar 8,549 vota ndërsa Zogaj 8,500 vota.
Sipas ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, neni 8 pika 1.6, deputeti humb mandatin pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës, kur ata dënohen me burgim prej 1 ose më shumë vjet.
Gjykata e Apelit ka publikuar vendimin në ankesën e të akuzuarve në procesin e quajtur “Grupi i Llapit” në të cilin akuzoheshin ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kësaj zone. Vendimi i Gjykatës së Apelit është marrë më 11 gusht, ndërsa është publikuar sot.
Grupi i Llapit ishte gjetur fajtor në vitin 2013 në disa pika të akuzave për krime të luftës. Sipas vendimit të Gjykatës të pandehurit nga muaji tetor 1998 deri kah fundi i prillit 1999, me përgjegjësi mbikëqyrëse dhe personale, duke vepruar në bashkëpunim me individë të tjerë të paidentifikuar, kanë urdhëruar dhe kanë marrë pjesë në rrahjen dhe torturimin e civilëve shqiptarë të Kosovës të mbajtur në mënyrë të kundërligjshme në qendrën e mbajtjes së të burgosurve në Llapashticë.
Latif Gashi dhe Rrustem Mustafa janë deputetë në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së./ Gazeta Fjala/