Izrael, një tjetër ditë terrori; dy sulme të reja në Jeruzalem

Autori:Gazeta Fjala

Për Izraelin, kjo e sotmja ishte një tjetër ditë terrori. Dhuna ngriti krye sërish dhe skenë e saj është bërë edhe një herë Jeruzalemi.

Bilanci i dy sulmeve të njëkohësishme, njëri në bordin e një autobusi dhe tjetri në stacion, është të paktën 1 i vrarë e 20 të plagosur, 8 nga të cilët në gjendje të rëndë.

Dy agresorët palestinezë, që për sulmin e tyre përdorën si armë zjarri, ashtu edhe thika, mësohet të jenë vrarë nga policia.

Po mëngjesin e sotëm pati disa të plagosur nga një burrë që i sulmoi papritur në veri të Tel Avivit, në Ra’anana. Mësohet se atë vetë e ndaluan disa kalimtarë të rastit, të cilët dhe e rrahën shumë keq.

Tensionet mes izraelitëve dhe palestinezëve nisën të përshkallëzohen që muajin e kaluar, të nxitura prej përplasjeve në xhaminë Al Aksa, vendi i tretë më i shenjtë i Islamit.

Por fillimi i tetorit ka sjelle një valë të re sulmesh, sidomos me armë të ftohta, prej të cilave kanë humbur jetën disa izraelitë në Jeruzalem e në pjesë të tjera të Bregut Perëndimor.

Ashpërsimi i masave të sigurisë nga izraelitët ka shtuar nga ana tjetër indinjatën e palestinezëve, përleshjet me këta të fundit e për rrjedhojë edhe rëndimin e bilancit të vdekjeve në radhët e tyre. Kjo spirale e re dhune vjen pas një periudhe relativisht të gjatë qetësie.

Gjithçka nisi në mesin e shtatorit, kur përplasjet në vendin e shenjtë në Jeruzalem, në rrënjë patën thashethemet e përhapura mes palestinezëve se izraelitët po përpiqeshin të ndryshonin marrëveshjen fetare afatgjatë për zonën në fjalë, pretendime këto të cilat autoritetet hebraike i hodhën poshtë, duke i cilësuar si të paverteta./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/izrael-nje-tjeter-dite-terrori-dy-sulme-te-reja-ne-jeruzalem/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala