Ivanoviq: Ende s’është fundi

Autori:Avdyl Pajaziti

“Unë, absolutisht padrejtësisht i kam kaluar 20 muaj në paraburgim, dhe ende nuk është fundi, kjo është vetëm faza e parë, do të vazhdojmë të luftojmë, vetëm që tani është më lehtë, me familjen duket krejt ndryshe”, është shprehur Oliver Ivanoviqi, i akuzuari kryesor për krime ndaj shqiptarëve të Mitrovicës gjatë luftës dhe paslufte.

I disponuar dhe në humor, Oliver Ivanoviqi nuk ka lënë përshtypjen e një personi të sëmurë, jo të paktën ashtu siç e përshkruanin gjendjen e tij shëndetësore mjekët e Spitalit Rajonal në veri të Mitrovicës dhe avokatët e Ivanoviqit, të cilët madje edhe e binin në pyetje paraqitjen e Ivanoviqit para Gjykatës.

Ivanoviq tha se as që i ka shkuar ndonjëherë mendja se do të jetë në burg.

“Thjesht një ndjenjë të tillë njeriu nuk e ka, sepse as në gjumë nuk kam ëndërruar se ndonjëherë do të jem pranë burgut, e kurrsesi në burg. Ky rast është i rëndësishëm për të gjithë serbët, ky më nuk është rast i im, duhet të jetë i rëndësishëm edhe për më gjerë, sepse aktakuzat e padrejta dhe mbajtja në paraburgim, kjo nuk mund të jetë rregull. Sidomos nuk mund të jetë rregull i një misioni evropian, i cili ka ardhur këtu për të treguar se si punohet”, ka vijuar Ivanoviq, raporton ‘Zëri’.

Ai ka vlerësuar se rasti i tij ka tërhequr vëmendjen e madhe të medieve, duke qenë i bindur se një gjë e tillë nuk guxon të ndodhë më.

“Ajo çka është e rëndësishme, serbët duhet të mendojnë, që para këtyre gjykatave duhet ta kenë ndjenjën absolute të drejtësisë e të sigurisë. Unë deri me tani nuk e kam pasur atë ndjenjë, ndërsa sa i përket procesit gjyqësor, nuk kam absolutisht asnjë vërejtje, përveç se procesi po zgjat”, theksoi Ivanoviq, në deklaratën e tij të parë për medie, me të dalë nga spitali.

Ai u tha gazetarëve se ndihet mirë me shëndet, por që i duhet edhe më tutje të shkojë në kontrolle mjekësore, ndërsa i falënderoi ata, për siç tha, “e kanë ruajtur dhe e kanë mbajtur këtë temë në mendje të opinionit”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ivanoviq-ende-seshte-fundi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala