Italia, pro liberalizimit të vizave për Kosovën

Autori:Gazeta Fjala

Shteti i Italisë do ta përkrahë Kosovën në hapat drejt integrimeve evropiane, respektivisht procesit të liberalizimit të vizave. Kështu ka deklaruar kryetari i Komisionit Parlamentar për Politika të Bashkimit Evropian në Itali, Vannino Chiti, i cili së bashku me një delegacion kanë qëndruar të premten në një vizitë zyrtare në Prishtinë. Senatorët italianë po ashtu gjatë ditës së djeshme kanë zhvilluar takime me krerët më të lartë të institucioneve të Republikës.

Chiti theksoi se do të bashkëpunojnë me shtetet e tjera për të përkrahur Kosovën drejt rrugëtimit për në Bashkimin Evropian.

“Mund të them se Italia e kupton shumë mirë faktin se kosovarët janë të vetmit që nuk mund të udhëtojnë në Evropë pa viza. E kuptojmë shumë domethënien e kësaj kërkese dhe atë e shohim me miqësi dhe simpati. Për atë sa mund të bëjmë, do ta çojmë përpara bashkëpunimin me vende tjera, të cilat duhet të marrim vendime të përbashkëta, duke pasur parasysh faktin se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim”, deklaroi senatori italian.

Ky i fundit po ashtu ka lavdëruar spektrin politik në Kosovë lidhur me marrëveshjet e fundit të arritura me Serbinë në Bruksel. Chiti ndër të tjera tha se nënshkrimi i disa marrëveshjeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë hapa të rëndësishme për vendin, shkruan sot Zeri.
“Marrëveshja e Demarkacionit me Kufirin me Malin e Zi, Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, si dhe vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale janë angazhime që janë realizuar mirë dhe sidomos me Ligjin për ata që Luftojnë Jashtë Vendit”.

Ndryshe, delegacioni i kryesuar nga Vannino Chiti është pritur sot gjatë ditës në takime të ndara nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe nga kryeministri, Isa Mustafa.

Senatori italian, Vannino Chiti, ka thënë se në Senatin italian Kosova gëzon përkrahje nga të gjithë faktorët.

Ai është shprehur se Senati e dëshiron Kosovën në Bashkim Evropian dhe deri në anëtarësimin e saj të plotë, Italia do t’ia japë përkrahjen e nevojshme.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/italia-pro-liberalizimit-te-vizave-per-kosoven/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala